Gjykata Themelore në Pejë ka liruar nga akuzat Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të cilët po gjykoheshin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Të lidhura
None found
Vendimi u shpall të hënën, pas një procesi gjyqësor që kishte zgjatur disa vite.
Ngjarja për të cilën akuzoheshin tre të pandehurit ndodhi më 26 nëntor 2021, kur një autobus në qarkullim në Gllogjan u sulmua me armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave humbën jetën drejtuesi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. e G.M. Një person tjetër u plagos rëndë.
Sipas pretendimit të Prokurorisë, sulmi kishte në shënjestër shoferin Gani Gjokaj, të cilin familja Mehmetaj e fajësonte për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj.
Në aktakuzë thuhej se Kastriot Mehmetaj kishte qëlluar drejt autobusit, Kreshnik Mehmetaj e kishte ndihmuar atë të largohej, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohej se kishte nxitur dy djemtë e tij për vrasjen e Gjokajt.
Shqyrtimi gjyqësor ishte rihapur në korrik të këtij viti, pas paraqitjes së një videoincizimi të ri. Pas mbylljes së procesit, Gjykata Themelore në Pejë vendosi t’i shpallë të pafajshëm të tre të akuzuarit.
