Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka përcjellë ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të gjithë personat që e kanë njohur zyrtarin policor Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë të dielën në QKUK. Kryeziu kishte marrë lëndime disa ditë më parë, pasi ishte goditur nga një veturë në Malishevë.
Të lidhura
None found
Sveçla deklaroi se humbja e tij ka sjellë dhimbje të madhe për familjen Kryeziu, Policinë e Kosovës, kolegët dhe të gjithë të njohurit e tij. Sipas ministrit në detyrë, vendi humbi një pjesëtar shembullor të Policisë së Kosovës, i cili ishte i përkushtuar ndaj detyrës dhe mbrojtjes së sigurisë së qytetarëve.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për personelin mjekësor, duke vlerësuar përpjekjet dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për trajtimin e Altinit deri në çastet e fundit të jetës.
Në reagimin e tij, ministri në detyrë i Brendshëm u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë. Sveçla theksoi se pakujdesia në trafik mund të shkaktojë humbje jete, ndërsa rasti i Altin Kryeziut përfaqëson humbjen e një jete të re dhe të një zyrtari që ishte në shërbim të qytetarëve.
