Dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u lënduan në aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi pasditen e sotme në Istog, ndërsa Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar hollësi për rastin.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e spitalit thuhet se rreth orës 16:00, në Shërbimin e Emergjencës u soll një paciente me politraumë dhe pa shenja jete. Ekipi mjekësor tentoi ta shpëtonte, por më pas u konstatua vdekja e saj.
Katër persona të tjerë të lënduar në të njëjtin aksident u pranuan në Emergjencë rreth 30 minuta më vonë.
Mes tyre ishte edhe një fëmijë në gjendje të rëndë, i cili u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Transferimi u krye me pacientin të intubuar dhe të shoqëruar nga ekipi i Anestezionit. Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit.
Një paciente tjetër, e diagnostikuar me frakturë të femurit, është shtruar në Repartin e Ortopedisë. Dy të lënduarit e tjerë u liruan për trajtim ambulantor pasi morën kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe u vlerësua se kishin lëndime të lehta trupore.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe u ka dëshiruar shërim sa më të shpejtë personave të lënduar.
