Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit pritet të bëhet më 6 korrik, duke i hapur rrugën nisjes së procesit për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.
None found
Kryeministri në detyrë, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se subjekti që drejton nuk do të zhvillojë bisedime me partitë politike për koalicion qeverisës apo tema të tjera politike pa u përmbyllur më parë certifikimi i rezultateve.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj, pa humbur kohë, do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, ka deklaruar Kurti.
Në të njëjtën kohë, partitë opozitare kanë shpalosur qëndrimet e tyre për mundësinë e një dakordimi politik, sidomos sa i përket zgjedhjes së presidentit të vendit.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se 18 votat e deputetëve të LDK-së mund të unifikohen vetëm në rast se posti i presidentit i jepet kësaj partie.
Sipas Hazirit, emri që do të kandidohej duhet të jetë nga LDK-ja.
“Në rast se ky emër është Lumiri (Abdixhiku) ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë”, ka thënë Haziri.
Ai ka nënvizuar po ashtu se për momentin ekziston vetëm një adresë zyrtare për negociata me LDK-në.
“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, është shprehur Haziri.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur gjashtë kushte, të cilat sipas saj duhet të pranohen nga Lëvizja Vetëvendosje nëse synon mbështetjen e kësaj partie për ngritjen e institucioneve të reja.
Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia që ai përfaqëson nuk ka synim të hyjë në qeveri, por është e gatshme të ndihmojë në zhbllokimin e situatës politike vetëm nëse arrihet një marrëveshje e shkruar për prioritetet kryesore të vendit.
“Nuk do ta bëjmë vetëm pse një person po kërkon të bëhet kryeministër apo president. Do ta bëjmë vetëm nëse ka një zotim të pastër, të shkruar, për këto që i thashë”, ka deklaruar Gjini.
Sipas AAK-së, këto kushte përfshijnë pranimin e projektit të gazit amerikan si projekt strategjik, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali me qymyr, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset, heqjen e tatimit mbi pronën për tokën bujqësore të punuar, financimin e projekteve infrastrukturore të pezulluara, si dhe krijimin e një fondi emergjent prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime në Prishtinë.
Gjini ka sqaruar se AAK-ja nuk e ka vendosur si kusht kandidimin e Ramush Haradinajt për president, edhe pse, sipas tij, ai do të ishte kandidati më i mirë për këtë detyrë.
“Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin. Nuk kërkojmë asgjë. Nëse Ramush Haradinaj do të kandidonte për president, kjo nuk do ta ndryshonte formulën tonë. Do të ishte nder, por nuk duam ta bllokojmë vendin”, ka deklaruar ai.
Teksa afrohet certifikimi i rezultateve, mbetet ende e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt një koalicioni qeverisës apo nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përpiqet ta formojë qeverinë me mbështetjen e deputetëve individualë.
Për këtë çështje, analisti politik Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar për “Bota sot” se nuk është i nevojshëm një koalicion formal qeverisës.
“Nuk ka arsye për koalicion. Albin Kurti i ka numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë. Do të ishte budallallëk që partitë e tjera të ofronin koalicion qeverisës. Ministrat e tyre mund të shkarkoheshin nga Kurti sapo të zgjidhej presidenti, ose më pas do të përfundonin duke iu bashkuar Vetëvendosjes”, ka deklaruar Spahiu për “Bota sot”.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 7 qershorit, vendin e parë e ka zënë Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13% dhe 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Portugalisë, Jose Fonte, ka ndarë mendimet e tij mbi rivalitetin ikonik midis Lionel Messit dhe Cristiano…
Një revizion i realizuar nga Drejtoria Shtetërore e Revizionit ka zbuluar një sërë parregullsish në punën financiare dhe organizative të…
Në vend që të përcaktojnë qëndrimet e tyre mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, partitë politike po i largohen gjithnjë e…
Vera për të rinjtë do të thotë më shumë lëvizje, më shumë plan edhe më shumë momente për t’u shijuar,…
Analisti Fatos Lubonja në një intervistë në “News24” foli për zhvillimet e fundit politike duke u ndalur te protesta e…
Donald Trump ka zhvilluar udhëtimin e tij të parë zyrtar me avionin e ri presidencial Air Force One, një Boeing…