Pa një marrëveshje përfundoi edhe përpjekja e fundit për bashkëpunim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e zhytur skenën politike në një periudhë edhe më të brishtë. Afati për gjetjen e një zgjidhjeje po ngushtohet, ndërsa vendi po përballet me pikëpyetje të mëdha për funksionalizimin e institucioneve.
Të lidhura
None found
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan në ambientet e Kuvendit, por biseda mes tyre nuk prodhoi marrëveshje. Kurti, pas takimit, u tha gazetarëve se nuk kishte ndonjë zhvillim për të njoftuar, përderisa palët nuk kishin arritur dakordim.
“Nuk kemi lajme përderisa s’kemi marrëveshje”, deklaroi Kurti, duke shtuar: “Kur ta realizojmë marrëveshjen do të mund të ju njoftojmë”.
Abdixhiku nuk dha deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit.
Bisedimet u zhvilluan të mërkurën, vetëm disa orë pasi përfaqësues të LDK-së kishin bërë të ditur se partia synon postin e presidentit të vendit.
Sot, më 6 gusht, pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës. Me këtë seancë nisin edhe afatet kushtetuese për krijimin e Qeverisë së re dhe për procedurën e zgjedhjes së presidentit. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy forcave kryesore politike, mbetet e pasigurt nëse institucionet do të mund të funksionalizohen dhe nëse Kosova do ta shmangë një tjetër krizë politike.
Qarri: Kreu i shtetit duhet të zgjidhet nga qytetarët, jo përmes pazareve partiake

Analisti politik Gani Qarri e sheh ngërçin aktual si dëshmi se në Kosovë nevojiten ndryshime kushtetuese. Në një prononcim për “Bota sot”, ai tha se presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, pasi kështu do të shmangej varësia e kreut të shtetit nga marrëveshjet ndërmjet partive.
Sipas Qarrit, presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të mos jetë rezultat i pazareve politike.
“Përvoja e keqe me partitë aktuale, për arritjen e konsensusit politik dhe krijimin e institucioneve funksionale shtetërore, e bën të domosdoshëm ndryshimin e neneve të nevojshme të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit me votën e qytetarëve. Presidenti duhet të jetë simbol i unitetit të popullit dhe jo vegël e partive politike, të cilat tash e gati dy vjet po e çojnë vendin nga zgjedhjet në zgjedhje dhe po e lënë pa institucione të qëndrueshme”, deklaroi ai për “Bota sot”.
Ai rikujtoi se konstituimi i Kuvendit aktivizon afatet kushtetuese për formimin e ekzekutivit dhe zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, Qarri shprehu dyshime për realizimin e këtyre proceseve, veçanërisht për shkak të zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.
“Rezultati i ngushtë i votimit për vazhdimin e mandatit të Lumir Abdixhikut tregon se brenda LDK-së ekzistojnë ndarje të thella, të cilat mund ta bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje me partinë fituese për zgjedhjen e presidentit, pasi mbetet e paqartë nëse numri i votave të deputetëve të kësaj partie do të jetë konstant”, u shpreh Qarri.
Analisti vlerësoi se takimet e deritanishme mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret. Sipas tij, fakti që palët janë mjaftuar me njoftimin se dialogu do të vazhdojë tregon se dallimet mes tyre vazhdojnë të jenë të rëndësishme.
“Përkundër takimeve disaorëshe ndërmjet përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, nuk pati asnjë marrëveshje konkrete. U tha vetëm se bisedimet do të vazhdojnë, gjë që lë të kuptohet se ende ekzistojnë paqartësi dhe mospajtime serioze mes palëve”, theksoi ai.
Qarri konsideroi se LDK-ja duhej ta kishte analizuar më me kujdes ofertën e LVV-së për bashkëqeverisje, duke marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën e brendshme të saj.
“Oferta për postin e kryetarit të Kuvendit, pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri ishte një mundësi që LDK-ja duhej ta shqyrtonte me seriozitet. Në vend të kësaj, insistimi vetëm në postin e presidentit nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale”, deklaroi Qarri.
Si zgjidhje më të pranueshme, ai përmendi zgjedhjen e një presidenti jopartiak, që do të mund të mbështetej nga subjektet politike dhe do t’u shërbente interesave të qytetarëve.
“Edhe vetë LVV-ja është deklaruar publikisht se është e gatshme të mbështesë një president jopartiak. Ky do të ishte opsioni më i mirë për vendin dhe një mundësi reale për tejkalimin e ngërçit politik”, vlerësoi ai.
Qarri paralajmëroi se, nëse nuk gjendet një zgjidhje për institucionet dhe presidencën, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sipas tij, një skenar i tillë do të sillte pasoja politike dhe ekonomike.
“Nëse nuk arrihet konsensus për funksionalizimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, rrezikohet vazhdimi i krizës institucionale dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Kjo do të ishte barrë e rëndë për buxhetin e shtetit, provë e durimit të qytetarëve dhe një situatë që nuk i shërben stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës”, përfundoi Qarri.
Burjani: Pa marrëveshje me LDK-në, Kosova shkon drejt zgjedhjeve

Edhe analisti Blerim Burjani e cilësoi situatën të ndërlikuar. Duke folur për “Bota sot”, ai tha se Albin Kurti ka vetëm një mundësi për ta shmangur një proces të ri zgjedhor: arritjen e një marrëveshjeje me LDK-në.
Sipas Burjanit, një marrëveshje e tillë do të duhej të përfshinte postin e presidentit për LDK-në, si dhe pesë ministri, mes tyre Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Çështja është e komplikuar. Kurti ka vetëm një rrugë: t’ia japë pozitën e presidentit LDK-së dhe 5 ministri në mesin e ministrive, Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në të kundërtën, zgjedhjet janë të pashmangshme. Më keq është shteti sesa LVV dhe LDK”, tha ai.
Burjani kritikoi atë që e cilësoi si kokëfortësi të Vetëvendosjes, por edhe të një pjese të elektoratit që e mbështet këtë qasje, ndonëse, sipas tij, dihet se Kurti nuk po arrin të krijojë institucione dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të përsëritura.
“Kokëfortësia e VV-së dhe ndoshta e elektoratit që voton kështu, duke e ditur se Kurti nuk jep institucione, por konflikt dhe prodhon zgjedhje, është problem serioz. Pra, nëse dihet pse duhet të votohet, kjo çështje mbetet e hapur. Ose vetëdijesim i elektoratit, ose vetëshkatërrim”, u shpreh Burjani.
Ai nënvizoi se vendimmarrja politike duhet të udhëhiqet nga interesi shtetëror dhe jo nga kalkulimet partiake apo përfitimet individuale.
“Vetëshkatërrimi vjen nga papërgjegjësia, frajerllëku politik dhe mosdashja e mosvendosja e shtetit në rend të parë, e jo interesi partiak dhe individual”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
