Për shkak të të nxehtit ekstrem, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi se gjatë ditës së sotme do të ketë ndalesë të përkohshme për mjetet e rënda të transportit të mallrave që tejkalojnë peshën e përgjithshme prej 20 tonësh në autoudhët e vendit.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit zyrtar, masa hyn në fuqi në orën 11:00 dhe do të qëndrojë aktive deri në 17:30, duke qenë se parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat do të kapin ose kalojnë pragun e 32 gradë Celsius, çka sjell rrezik për dëmtimin e asfaltit.
Ministria sqaron se kjo masë prek vetëm autoudhët, ndërkohë që lëvizja e automjeteve të tonazhit të rëndë vijon pa pengesa në të gjitha rrugët nacionale, rajonale dhe ato lidhëse.
Nga zbatimi i kësaj rregulle përjashtohen mjetet e policisë, ato të sigurisë publike, shërbimet e urgjencës si dhe automjetet e institucioneve shëndetësore.
Duke i ftuar bizneset dhe shoferët që të respektojnë me përpikëri këtë vendim, autoritetet kërkojnë që udhëtimet të planifikohen duke marrë parasysh orarin e vendosur, me synim garantimin e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e infrastrukturës.
