Një garë e mundshme për udhëheqjen e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës po shoqërohet me qëndrime dhe propozime që kanë hapur debat për drejtimin e ardhshëm të partisë. Avdullah Hoti ka propozuar që Kujtim Shala të kandidojë për kryetar të LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre.
Të lidhura
None found
Megjithatë, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se do të jetë njëra prej kandidateve për kryetare nëse procesi zgjedhor brenda LDK-së zhvillohet në mënyrë të hapur dhe të drejtë. Kjo ka nxitur diskutime se në parti mund të jenë duke u formësuar dy alternativa për lidershipin: njëra ku Shala merr drejtimin dhe Bajrami synon postin e kryeministres, dhe tjetra ku vetë Bajrami hyn në garë për kryetare.
Edhe pse gara pritet të qartësohet më shumë në prag të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, që pritet të mbahen në vitin 2027, njohësit e politikës e konsiderojnë këtë situatë si shenjë të një krize më të gjerë brenda partisë.
Pyetjet që shtrohen lidhen me përplasjen e mundshme të dy vizioneve për të ardhmen e LDK-së, shndërrimin e ambicieve individuale në konflikt të brendshëm dhe rrezikun që kjo përballje ta thellojë dobësimin e një subjekti që dikur ishte ndër forcat kryesore politike në Kosovë.
Dajaku: LDK-ja po dobësohet nga brenda, grupacionet, egoizmi dhe servilizmi po e shtyjnë drejt shuarjes

Xhevat Dajaku deklaroi për “Bota sot” se vështirësitë e LDK-së nuk janë shfaqur vetëm së fundmi dhe nuk lidhen ekskluzivisht me garën e ardhshme për kryetar. Sipas tij, partia është dëmtuar nga një proces i gjatë dobësimi të brendshëm, ndërsa në radhët e saj janë përfshirë edhe persona me profile të paqarta, të cilët, sipas tij, nuk kanë ndihmuar në forcimin e subjektit.
“LDK-ja ndodhet në kolaps kryesisht për shkak të përfshirjes së elementëve me profile të paqarta, ndoshta edhe me synime të caktuara dhe shpesh me një të kaluar anti-LDK. Çdo subjekt dhe organizim mund të forcohet ose të dobësohet nga brenda. Për fat të keq, LDK-ja po ‘shembet’ nga brenda për shkak të njerëzve që deri tani nuk i kanë dhënë shumë kësaj partie. Në këtë proces janë përfshirë edhe veprimtarë të vjetër, të cilët kanë nisur të bashkëpunojnë dhe të filtrojnë me kundërshtarë anti-LDK, duke na sjellë në situatën e sotme.”
Dajaku iu referua edhe Avdullah Hotit, duke e lidhur angazhimin e tij të mëparshëm politik me një subjekt tjetër dhe duke shprehur rezerva për propozimin që ai ka bërë për të ardhmen e LDK-së.
“Një rast i tillë është z. Hoti, i cili erdhi nga PREK-u i Bujar Bukoshit. Dihet se PREK-u ishte një prej organizimeve që synonte dobësimin e LDK-së dhe marrjen e elektoratit të saj. Në atë subjekt ishte edhe z. Hoti. Për këtë arsye, kërkesa e tij nuk duket se është e bashkërenduar as me grupin që doli hapur kundër kryetarit Abdixhiku. Ajo më shumë ngjan si një akt kryeneçësie, mosbindjeje, anashkalimi dhe sulmi ndaj partisë, i bërë me paramendim dhe me një qëllim të caktuar.”
Duke folur për propozimin që Kujtim Shala të bëhet kryetar dhe për deklaratën e Hykmete Bajramit se do të garojë për këtë post nëse procesi është i hapur dhe fer, Dajaku vlerëson se këto qëndrime mund të sjellin përçarje dhe paqartësi në LDK.
“Nga njëra anë kërkohet që Shala të zgjidhet kryetar, ndërsa nga ana tjetër Bajrami synon ta drejtojë vetë LDK-në. Kjo ngre natyrshëm pyetjen nëse synimi është të krijohet përçarje, të shkaktohet hutim dhe të zbehet emri i madh që LDK-ja ka pasur dikur, deri në pikën kur ajo të mos mund të konsiderohet më partia që ka qenë.”
Sipas Dajaku, mungesa e meritokracisë, forcimi i grupacioneve dhe dominimi i interesave personale janë ndër problemet kryesore që mund ta çojnë LDK-në në një krizë ekzistenciale.
“Nuk e di se si do të ecin proceset në vazhdim, por një gjë është e sigurt: mungesa e meritokracisë, grupacionet, egoizmi dhe servilizmi më bëjnë të druhem se LDK-ja po drejtohet drejt shuarjes. Kjo është veçanërisht e dhimbshme për një subjekt që dikur ishte i pakrahasueshëm në Ballkan dhe që për dekada ishte ndër shtyllat kryesore të jetës politike dhe kombëtare shqiptare.”

Kapiti: LDK-ja pritet të bjerë edhe më tej, ndërsa Rugovizmi nuk mjafton për ta shpëtuar partinë
Publicisti Skënder Kapiti shfaq një qëndrim edhe më të ashpër për gjendjen në të cilën ndodhet LDK-ja. Ai thotë se, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, kjo parti nuk ka arritur të krijojë një vizion të ri politik dhe se me kalimin e kohës ka humbur vazhdimisht ndikimin në skenën politike.
“Kam qenë vazhdimisht kritik ndaj mënyrës se si është sjellë politikisht LDK-ja. Pas Rugovës, ajo nuk ka ndërtuar asnjë vizion, alternativë apo perspektivë dhe, me të drejtë, ka zbritur gjithnjë e më poshtë. Kisha shpresuar se marrëveshja mes saj dhe LVV-së për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të sillte një kthesë dhe do t’ua kthente shpresën anëtarëve të vjetër e të rinj të LDK-së. Kjo do të ishte arritja më e madhe politike e partisë pas Rugovës.”
Në një prononcim për “Bota sot”, Kapiti tha se zhvillimet lidhur me marrëveshjen për presidentin dhe qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, sipas tij, kanë nxjerrë në pah përmasat e problemeve të brendshme të subjektit.
“Mungesa e guximit, pasinqeriteti dhe papërgjegjshmëria e deputetëve pucistë, pra e gjashtë deputetëve që e sabotuan marrëveshjen, dëshmuan se LDK-ja është një konglomerat ose amalgamë individësh servilë, por edhe arrogantësh dhe interesaxhinjsh të paskrupullt. Sot LDK-ja nuk ka as alternativë dhe as vizion. Ajo ka një dritëshkurtësi politike korruptive, e cila si organizatë ka prodhuar vetëm kriza, duke dëmtuar jo vetëm veten, por edhe shtetin e Kosovës.”
Kapiti thekson se një ndryshim i thjeshtë në përbërjen e udhëheqjes nuk do të mjaftonte për ta ndryshuar kursin e partisë. Sipas tij, nevojitet një alternativë e re politike dhe një shkëputje nga elita që ai e cilëson të papërgjegjshme.
“E ardhmja e LDK-së nuk mund të vijë nga kjo ‘merimangë’ e elitës së saj politike të papërgjegjshme. Kjo elitë e keqe nuk ka interes për Kosovën, por vetëm për mandatin e deputetit dhe për marrëveshjet politike e korruptive. Zgjidhja më e mirë për shërimin dhe shpëtimin e anëtarësisë nga pengmarrja e kësaj elite është braktisja e LDK-së së saj dhe bashkimi ose krijimi i një alternative reale politike të djathtë e patriotike, e cila Kosovës i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë.”
Publicisti paralajmëron se LDK-ja do të vazhdojë të humbasë mbështetje nëse nuk përshtatet me pritjet e brezave të rinj dhe nëse mbështetet vetëm te trashëgimia e saj historike.
“LDK-ja në mënyrë të pashmangshme do të zbresë edhe më poshtë, sepse brezi i ri shqiptar sheh të tashmen dhe realitetin dhe nuk qëndron me mendjen e kthyer pas te ajo që ka bërë dikur Rugova. As spekulantët mashtrues që flasin për Rugovizmin nuk mund ta shpëtojnë LDK-në. E kaluara mund të regjistrohet në histori, por nuk mund ta zgjidhë ose ta shpëtojë të tashmen e kësaj partie. Kjo është vetëm utopi”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.
