“Serbia më afër NATO-s”, Gjenerali Clark: Absolutisht e vërtetë ajo që thotë Chris Hill

Gjenerali Wesley Clark, në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-së, operacion që ishte udhëhequr nga vetë ai, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku veç tjerash, flet edhe për deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill, për atë se ‘Serbia është shumë më afër NATO-së sesa Kosova’.

Gjenerali Clark, kur u pyet për këtë deklaratë të ambasadorit Hill, tha se ‘ai është një diplomat i shkëlqyer’ dhe ‘ajo që thotë Hill, është absolutisht e vërtetë’.

Megjithëse, në intervistë, fillimisht mund të vërehet një hezitim i z.Clark për ta komentuar detajisht deklaratën e z.Hill, më vonë Clark shprehet më shumë rreth kësaj deklarate.

“Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë. Mendoj se ajo që thotë ai është absolutisht e vërtetë”, tregohet shumë i shkurtë gjenerali Clark.

“Që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe se sa me Kosovën?”, këmbëngulë Zëri i Amerikës për një përgjigje më të detajuar të z.Clark, për çka ai thotë:

“Nuk mund të flas me detaje sepse nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje. Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë”, vazhdon gjenerali Clark.

“Mendoj se kjo është një përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur. Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme, thotë Clark.

“Jam i sigurt që ambasadori Hill po bën gjithçka që mundet që ta shohë situatën nga perspektiva amerikane. Shpresoj që NATO-ja po bën gjithçka që mundet për të qenë në gatishmëri dhe për të marrë masat për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi në anën e Kosovës. Sikurse e thashë këto tensione ndizen nga përpjekjet ruse. Rusia kërkon të ndezë mosmarrëveshje dhe kaos në rajon dhe e gjitha puna që kemi bërë në Ballkan nuk do të ketë rezultat të frytshëm nëse nuk trajtojmë çështjen mes Ukrainës dhe Rusisë.

Jam i sigurt se ka këndvështrime të posaçme rreth asaj që po më pyesni. Nëse do jepja një përgjigje të përgjithshme, do thoja se duheshin trajtuar aspekte speficike mbi marrëveshje specifiike që janë mbi tryezë. Por sigurisht që nuk dua të jap një përgjigje të përgjithshme për këtë. Historika ka rëndësi. Sigurisht, edhe ndjeshmëria e njërzëve ka rëndësi. Humbja e njerëzve të dashur, poshtërimet që kanë vuajtuar, frika, çdo gjë ka rëndësi. Por është detyrë e diplomatit, që aq sa ka mundësi, të gjejë interesin e përbashkët dhe të shohi drejt së ardhmes, për të shtyrë përpara këto interesa. Dhe jam i sigurt se askush, në shërbimin diplmatik amerikan, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë më mire se sa ambasadori Chris Hill”, thotë Clark.

Çka tha Hill?

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se aktualisht Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova.

Në një intervistë për RTS, ai tha se, sipas tij, Serbia është më afër NATO-s se Kosova në këtë moment duke shtuar se kjo “është shumë e vërtetë”.

“E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”, pohoi ambasadori amerikan.

“Për momentin po. Kjo tani është shumë e vërtetë. Pra, ju sigurisht e dini se ne punojmë çdo ditë me ushtrinë serbe. Ne kishim stërvitje, kishim një sërë gjërash me ushtrinë serbe”, tha Hill. /nacionale


Shtuar 24.03.2024 17:07