Categories: kosovë

Rezultati i 7 qershorit nxit debat në LDK, analistët flasin për presion ndaj Abdixhikut dhe nevojë për zgjedhje të brendshme

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) është rihapur debati i brendshëm, pasi një pjesë e figurave dhe strukturave të partisë e shohin performancën zgjedhore si zhgënjim dhe jo si arritje.

Edhe pse LDK-ja ka regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, brenda partisë ka vlerësime se ky rezultat mbetet nën pritshmëritë dhe nuk pasqyron angazhimin politik të muajve të fundit.

Të lidhura

None found

Pakënaqësi për këtë rezultat kanë shprehur edhe zëra kritikë si Avdullah Hoti, Arben Gashi dhe Rrezarta Krasniqi, të cilët kanë ngritur dilema për kahun politik dhe strategjinë e ndjekur nga drejtuesit aktualë.

Këto zhvillime kanë shtuar diskutimet nëse LDK-ja po futet në një periudhë të re tensionesh të brendshme dhe nëse kryetari Lumir Abdixhiku mund të përballet me presion politik apo me kërkesa për përgjegjësi pas rezultatit zgjedhor.

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të sqarojnë nëse këto kritika do të mbeten vetëm në nivel deklarimesh apo do të kthehen në një debat më të gjerë për të ardhmen organizative dhe politike të partisë.

Në këtë situatë, po shtrohet edhe çështja nëse brenda LDK-së mund të ketë kërkesa për reforma të brendshme, zgjedhje partiake apo sfida ndaj lidershipit aktual.

Zogaj: Pakënaqësitë brenda LDK-së janë të arsyeshme dhe duhet të mirëkuptohen e të pranohen si një mundësi për reflektim

Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” ka folur publicisti Skënder Zogaj, i cili vlerësoi se pakënaqësia e shfaqur në LDK pas zgjedhjeve të 7 qershorit është e natyrshme.

Sipas Zogajt, reagimet kritike brenda partisë nuk duhet të refuzohen, por të trajtohen si një rast për reflektim dhe madje për një mobilizim të ri të strukturave partiake.

“Rezultati i dobët në zgjedhjet e 7 qershorit është arsye e mjaftueshme për pakënaqësi. LDK-ja, flamurtare e një historie të veçantë politike në Ballkan, e para që iu kundërvu diktaturës komuniste dhe që zgjoi vëmendjen ndërkombëtare për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk mund të pajtohet lehtë me faktin që sot të mbetet prapa partive simotra të krijuara si eksperimente politike.

Prandaj, pakënaqësitë brenda LDK-së janë të arsyeshme dhe duhet të mirëkuptohen e të pranohen si një mundësi për reflektim, zgjim dhe mobilizim të ri partiak. Ky mirëkuptim duhet të shprehet para së gjithash nga kryetari Lumir Abdixhiku, i cili ka obligimin politik dhe moral të ofrojë transparencë dhe llogaridhënie për sukseset dhe mossukseset. Vetëm kështu strukturat partiake mund të çlirohen nga tensionet e akumuluara në prapaskenë dhe nga pakënaqësitë e zyrtarëve e aktivistëve që kërkojnë vlerësim të drejtë dhe përgjegjësi politike”, deklaroi ai.

Zogaj theksoi gjithashtu se, nëse ruhet maturia, partia mund t’u shmanget edhe përplasjeve të brendshme.

Sipas tij, çështja më urgjente për LDK-në në muajt që vijnë duhet të jetë organizimi i zgjedhjeve të brendshme partiake.

“Nëse ruhet urtësia tradicionale e LDK-së, nuk ka arsye për përplasje. Mund të ketë debate të nxehta, por edhe vendime të vlefshme për mobilizim dhe ringritje, sepse nga kjo përfitojnë të gjithë. Debati demokratik nuk është dobësi, por forcë e një partie që synon të rikthejë besimin e elektoratit. Në muajt e ardhshëm, prioritet mbi të gjitha prioritetet duhet të jetë organizimi i zgjedhjeve të brendshme partiake.

Aktualisht, një pjesë e madhe e strukturës së LDK-së funksionon mbi bazën e emërimeve, nga niveli lokal deri në atë qendror. Prandaj, gara e brendshme demokratike për ndërtimin e strukturave dhe zgjedhjen e udhëheqësve me votën e anëtarësisë është kusht jetik, jo vetëm për suksesin, por edhe për vetë ekzistencën e partisë. Kjo ka qenë formula e LDK-së rugoviane, ku vota dhe vetëm vota ishte çelësi vendimtar. Mandati i fituar me votë është përgjegjësi dhe detyrim moral që i zgjedhuri e mbron me përkushtim”.

Ai shtoi se pikërisht debati i hapur dhe funksionimi demokratik janë themeli i rimëkëmbjes që i nevojitet sot LDK-së.

“Anëtarësia e LDK-së ka nevojë për mekanizma që e fuqizojnë dhe e bëjnë pjesë të vendimmarrjes, e jo për zgjidhje të gatshme që i imponohen nga lart. Përballja e sinqertë me sfidat krijon unitet. Jo presionet dhe heshtja, por debati i hapur dhe demokratik brenda partisë janë baza e rimëkëmbjes që i duhet sot LDK-së”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Haziri: Tensionet në LDK nuk janë ato që shfaqen tani, por ato e kanë përcjellë partinë që nga zgjedhjet e 28 dhjetorit

Nga ana tjetër, analisti politik Nexhat Haziri u shpreh i zhgënjyer me rezultatin që LDK-ja arriti në zgjedhjet e fundit.

Në prononcimin e tij për “Bota sot”, ai kritikoi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, duke thënë se një parti si LDK-ja nuk duhet të mbahet peng prej tyre.

“Është fakt se rezultati i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit ishte tejet zhgënjyes dhe kjo humbje e radhës e LDK-së nuk duhet normalizuar, por kërkon reflektim, së pari nga lidershipi i partisë, i cili duhet të pushojë së improvizuari me procese të brendshme duke i shitur ato si reforma. LDK-ja është aset kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga një njeri si Lumir Abdixhiku, tashmë në tandem edhe me Vjosa Osmanin për interesa të tyre personale”.

Haziri nënvizoi se problemet dhe tensionet në LDK nuk kanë nisur së fundmi, por e kanë shoqëruar partinë që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas tij, favorizimi i disa individëve nga Abdixhiku dhe Osmani ka ndikuar si në rritjen e pakënaqësive, ashtu edhe në rezultatin e dobët zgjedhor.

“Tensionet në LDK nuk janë ato që shfaqen tani, por ato e kanë përcjellë partinë që nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Me këto tensione, me një unitet të rremë dhe me favorizime të njerëzve të afërt me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin edhe në listën e kandidatëve për deputetë, të cilët u favorizuan dhe u promovuan më shumë se të tjerët që ishin kritikë ndaj mënyrës së udhëheqjes së partisë nga Lumir Abdixhiku, hynë në garë në zgjedhjet që sapo përfunduan.

Dhe duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë dhe të tjerë, LDK-ja nuk mund të kishte një rezultat të mirë. Andaj mendoj se ky pozicion i LDK-së dhe të gjitha këto probleme të brendshme e bëjnë të domosdoshme hyrjen në një proces të mirëfilltë zgjedhor të brendshëm, i cili duhet të jetë i përgatitur mirë, garues dhe gjithëpërfshirës, që do të prodhonte një lidership të ri, të aftë dhe të gatshëm për t’u përballur me një pushtet që gjithnjë e më shumë po shfaqet si autoritar, një lidership i përgatitur po ashtu për të dhënë alternativa për shumë çështje problematike që sot ka Kosova, si luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, rendit dhe ligjit, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO, deri te marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos ruajtjen dhe forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në”.

Në fund, Haziri tha se strukturat dhe anëtarësia e LDK-së nuk duhet të lejojnë që Abdixhiku dhe Osmani të vazhdojnë, sipas tij, me manovra politike dhe personale.

“Dhe krejt për fund, nuk duhet lejuar që tandemi Osmani–Abdixhiku, që përmes manovrave politike, siç është edhe koalicioni me LVV-në, të përdoret si instrument për të vazhduar mbajtjen peng të LDK-së nga ana e tyre. Andaj, nëse strukturat e LDK-së dhe anëtarësia e saj duan një LDK të fortë dhe rikthimin e pozicionit të saj si forcë e djathtë dominante në skenën politike kosovare, tani është koha për veprim”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

të fundit

Botërori 2026 thyen ritmin e golave pas 68 vitesh, mes dyshimeve për topin dhe ndikimit të ndërprerjeve

Botërori 2026 vazhdon të prodhojë spektakël, teksa ka arritur shifrën e 100 golave më shpejt se çdo edicion tjetër i…

9 minutes ago

EMRI/ Identifikohet viktima e aksidentit në Lushnje, Policia jep detajet: U godit nga dy makina njëra pas tjetrës, arrestohen shoferët!

Identifikohet viktima e aksidentit të ndodhur mesnatën e djeshme në autostradën Lushnje-Rrogozhinë. Fatkeqësisht, policia sqaron se viktima është goditur edhe…

25 minutes ago

Pse nxehtësia përballohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm?

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) paralajmëron se ndryshimet klimatike po shkaktojnë valë të të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe…

27 minutes ago

Parashikimi i motit për sot në Maqedoninë e Veriut

Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë me pak vranësira.Në orët e pasdites, në pjesët ekstreme veriperëndimore,…

29 minutes ago

Njihuni me parashikimin e motit për ditën e sotme, 21 Qershor 2026

Ditën e sotme vendi ynë, do të përfshihet nga një valë të nxehti, me temperatura që do të rriten ndjeshëm…

49 minutes ago

ZKA evidenton mangësi në menaxhimin e kontratave dhe tejkalime shpenzimesh në Ministrinë e Drejtësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin…

51 minutes ago