Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka dërguar të premten liderëve të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre ftesë për një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
None found
Presidenca e Kosovës e ka konfirmuar këtë ftesë për transmetuesin publik, duke sqaruar se ajo u është përcjellë veçmas subjekteve politike.
Në dokument thuhet se konsultimet do të përqendrohen te zhvillimet e fundit politike e institucionale dhe te mundësia e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual, çka do t’i hapte rrugë edhe formimit të institucioneve të tjera kushtetuese.
“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhej në ftesë.
Takimi ishte paraparë të zhvillohej në Zyrën e Presidentes. Partive u është kërkuar të konfirmojnë pjesëmarrjen e liderëve të tyre ose të personit që do t’i përfaqësonte.
Megjithatë, PDK-ja dhe AAK-ja e bënë të ditur menjëherë se nuk do të merrnin pjesë.
PDK-ja kërkoi të shtunën që të vazhdonte seanca konstituive, ndërsa Aleanca e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e zgjaste bllokadën institucionale me synimin për ta çuar vendin në zgjedhje.
Refuzimi dhe mungesa e një formule negociuese
Politologu Ramadan Gjanaj e konsideron të pritshëm vendimin e PDK-së dhe AAK-së. Sipas tij, ky qëndrim e komplikon në mënyrë të drejtpërdrejtë gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin politik.
Gjanaj thotë se këto dy parti nuk duan të përfshihen në një proces që, sipas vlerësimit të tyre, mund t’u shërbejë vetëm për t’i dhënë legjitimitet një zgjidhjeje të diktuar nga raporti aktual i forcave politike. Ai vlerëson se pa pjesëmarrje të konsiderueshme të opozitës, zgjedhja e presidentit, e cila kërkon shumicë të gjerë parlamentare, rrezikon të pasohet nga një bllokadë e gjatë.
Por, sipas tij, vështirësia kryesore nuk qëndron vetëm te refuzimi i një takimi. Problemi më i madh është mungesa e një kornize negociimi ku të gjitha palët të kenë interes për një marrëveshje të qëndrueshme, në vend që të orientohen drejt një raundi tjetër zgjedhor, deklaron ai për “Bota sot”.
Politologu thekson se çështja nuk kufizohet te takimi i thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes. Edhe Albin Kurti u ka bërë ftesë partive politike për konsultime me të njëjtin synim, gjetjen e një zgjidhjeje politike për një president konsensual.
Kjo, sipas Gjanajt, tregon se debati tashmë e ka tejkaluar formatin e një takimi të vetëm. Pyetja themelore është nëse partitë janë të gatshme të hyjnë në negociata reale dhe t’i pranojnë kompromiset që kërkon një marrëveshje e tillë.
Refuzimin e PDK-së dhe AAK-së ai e sheh njëkohësisht si çështje parimore dhe si llogari strategjike. Në aspektin parimor, partitë mund të besojnë se nuk duhet ta legjitimojnë një proces që nuk u ofron garanci të mjaftueshme për një zgjidhje vërtet konsensuale.
Në aspektin politik, mospranimi i ftesës u mundëson të mos hyjnë në negociata pa siguri për rezultatin dhe ta ruajnë presionin për zgjedhje të reja, një skenar që mund t’i favorizojë. Gjanaj e përshkruan këtë si një strategji të njohur opozitare: të mos mbështetet një zgjidhje që mund ta forcojë kryesisht partinë e parë në zgjedhje.
Megjithatë, ai bën dallim mes refuzimit të formatit dhe refuzimit të marrëveshjes. Nëse opozita nuk pranon këtë mënyrë negociimi, përgjegjësia u mbetet të gjitha palëve që të gjejnë një alternativë e cila do të krijonte besimin minimal të nevojshëm. Një president konsensual, thekson Gjanaj, nuk mund të zgjidhet vetëm me numra parlamentarë, pasi kërkohet një marrëveshje e pranueshme edhe përtej shumicës.
Për një kompromis mes pozitës dhe opozitës, fillimisht duhet të gjendet një kandidat që pranohet nga të dyja palët. Ai mund të jetë një figurë jashtëpartiake ose një politikan me mbështetje të gjerë.
Gjanaj shton se marrëveshja nuk duhet të kufizohet vetëm te emri i presidentit. Ajo duhet të përfshijë mekanizma të qartë konsultimi dhe ndarjeje të përgjegjësisë politike, veçanërisht për çështjet që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Po ashtu, sipas tij, duhet të ketë garanci që asnjëra palë të mos mund ta paraqesë veten si spektatore apo viktimë kur një vendim të ketë kosto të lartë politike, nëse ai është marrë në kuadër të një përgjegjësie të përbashkët.
Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për një koalicion të mundshëm LVV-LDK. Në rast se një qeveri e tillë do të përballej me kërkesa konkrete për zbatimin e detyrimeve të dialogut të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, të dyja partitë do të duhej të ndanin përgjegjësinë institucionale dhe koston politike.
Pa këto elemente, paralajmëron Gjanaj, edhe një marrëveshje për presidentin do të mbetej e brishtë dhe do të mund të dështonte në krizën e parë të vërtetë politike.
Politologu nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse PDK-ja dhe AAK-ja vazhdojnë refuzimin dhe nëse nuk arrihet një bazë e qëndrueshme marrëveshjeje me LDK-në. Megjithatë, ai thekson se zgjidhja e presidentit nuk do të nënkuptonte automatikisht përfundimin e krizës politike.
Sfida më e madhe, sipas tij, do të shfaqej pas marrëveshjes, kur qeveria e ardhshme do të duhej të merrte vendime të vështira lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe dialogun me Serbinë. Nëse nuk krijohen mekanizma që i detyrojnë partnerët të ndajnë koston e vendimeve të përbashkëta, rreziku i një krize të re do të mbetet i lartë.
Prandaj, zgjedhjet e reja janë një mundësi reale, por ato nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërisht problemin bazë nëse partitë vazhdojnë të mos ndërtojnë mekanizma bashkëpunimi dhe përgjegjësie të përbashkët. Për Gjanajn, sfida e Kosovës nuk është vetëm zgjedhja e presidentit, por krijimi i marrëdhënieve politike dhe institucioneve që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme.
Ai vlerëson se partnerët politikë nuk kanë nevojë t’i besojnë plotësisht njëri-tjetrit, por sistemi duhet t’i bëjë të dyja palët të kenë interes ta respektojnë marrëveshjen.
Edhe LDK-ja e refuzoi takimin
Një ditë para datës së planifikuar për konsultime, ftesën e Haxhiut e refuzoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha në një deklaratë televizive se partia e tij pranon të takohet vetëm me kryetarin e LVV-së.
“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, u shpreh Abdixhiku.
Mehmeti: Refuzimi është inatçor
Opinionisti Gani Mehmeti i cilëson refuzimet e PDK-së dhe AAK-së si veprime të këqija dhe inatçore. Në një bisedë me “Bota sot”, ai tha se këto parti janë të mllefosura për rezultatin zgjedhor dhe ndaj LVV-së.
Sipas Mehmetit, PDK-ja dhe AAK-ja nuk e kanë pranuar humbjen në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 dhe në zgjedhjet e mëparshme, të cilat, siç thotë ai, i kanë humbur disa herë radhazi. Ai pretendon se pakënaqësia e tyre është aq e madhe sa nuk duan as të diskutojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës.
Mehmeti tha se zgjedhjet nuk fitohen vetëm përmes dëshirës apo premtimeve, por edhe përmes realizimeve. Ai i kritikoi këto dy parti duke kujtuar se kanë qenë më herët në qeveri dhe në pushtet, ndërsa, sipas tij, e kishin lënë pas dore shtetin duke u përqendruar te pushteti.
Ai e konsideron qëndrimin e tyre jo parimor dhe beson se ai e vështirëson tej mase zgjidhjen e ngërçit dhe formimin e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, sjellja ndaj Albulena Haxhiut, duke i thënë se nuk është kryetare, është cinike.
Opinionisti argumenton se, nëse partitë do të vepronin mbi parime, shteti do të duhej të vendosej mbi interesin partiak dhe personal. Ai e sheh refuzimin si strategji për ta dobësuar funksionalizimin e LVV-së dhe të qeverisë së Kosovës.
Mehmeti thotë se mungesa e negociatave mund ta bllokojë funksionalizimin e institucioneve, pasi për votim kërkohet prania dhe mbështetja e dy të tretave të deputetëve. Sipas tij, një sjellje e tillë do t’u ngjante vetëm armiqve të Kosovës, të cilët nuk do të donin që institucionet të formoheshin dhe vendi të ecte përpara.
Për të arritur kompromisin, pozitë dhe opozitë duhet të ulen e të bisedojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës. Për Kuvendin dhe qeverinë, sipas Mehmetit, LVV-ja ka vota të mjaftueshme dhe nuk do të kishte problem.
Ai shton se opozita nuk duhet të mbajë inate për faktin që asnjëra prej partive të tjera nuk doli e para. Këto parti, kujton ai, kanë qenë edhe më herët në koalicion dhe kanë funksionuar mirë.
Mehmeti i akuzon partitë opozitare se janë të zemëruara me Albin Kurtin, por thotë se për zgjedhjen e presidentit përgjegjësinë e kanë të gjitha subjektet dhe ato do të duhej të ndihmonin në proces.
Ai e sheh refuzimin si kërcënim serioz për krizën në Kosovë dhe vëren një ndryshim të qëndrimit të opozitës krahasuar me të kaluarën. Sipas tij, në rastet e mëparshme, kur Kuvendi dhe qeveria u formuan pa u zhvilluar më parë bisedime për presidentin, opozita u ankua se duhej diskutuar edhe për këtë post.
Tani, ndërkaq, kur Kurti po kërkon që negociatat për presidentin të zhvillohen para formimit të Kuvendit dhe qeverisë, opozita po kërkon pikërisht të kundërtën: fillimisht formimin e këtyre institucioneve dhe më pas zgjedhjen e presidentit.
Mehmeti përfundon se moszgjedhja e institucioneve po rrezikon ndihmat nga BE-ja dhe funksionimin institucional të Kosovës, e cila, sipas tij, ka mbetur për një kohë të gjatë pa institucione.
Ylli i Manchester Cityt, Rodri, është pranë transferimit zyrtar te Barcelona gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.Real Madridi kishte nisur…
SHBA-të presin që Hamasi të nisë së shpejti procesin e çarmatosjes në Gaza, ndërsa Uashingtoni është i gatshëm të mbështesë…
Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në ambient të hapur, nga të cilat gjashtë…
Organi qeverisës botëror i futbollit, FIFA, ka shkarkuar një nga figurat e saj më të larta pasi ai kritikoi planin…
Në orët e para të mëngjesit të sotëm rreth orës 05:00, një aksident rrugor është regjistruar në afërsi të fshatit…
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrur për sot në ora 09:00 një takim me…