Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, vëmendja duhet të drejtohet te apeli, ndërsa veprimet e shtetit duhet të bashkërendohen mbi bazën e një strategjie të qartë. Qelaj tha se beteja në gjykatë është humbur, por theksoi se synimi duhet të jetë kërkimi i drejtësisë nga gjykata, jo zhvillimi i politikës ndaj saj, pasi kjo nuk është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Qelaj përmendi si hapa të mundshëm ndryshimet ligjore dhe formimin e një ekipi shtetëror që do të koordinonte veprimet. Ai kërkoi gjithashtu që Kosova t’i paraqesë shqetësimet e saj para Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës dhe të kërkojë përgjegjësi prej tyre.
Ai tha se, në çdo komunikim që ka pasur me nivelet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, i është thënë se ato nuk ndërhyjnë në drejtësi. Megjithatë, sipas Qelajt, këto institucione duket se kanë lënë mënjanë përgjegjësinë e tyre për të mbikëqyrur respektimin e standardeve nga gjykatat, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
