Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), forcë opozitare në Serbi, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Snezhana Paunoviqit, ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, pasi ajo deklaroi se, po të ndodhej në vendin e Slobodan Millosheviqit, do të kryente “spastrim etnik” në Kosovë më 1998.
Të lidhura
None found
PSG e dënoi deklaratën si gjuhë urrejtjeje dhe mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike. Sipas kësaj partie, një funksionare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë kombëtare nuk mund të mbajë post në Qeverinë e Serbisë. Shqetësimi, thekson PSG, shtohet edhe më shumë nga fakti se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe pushtetin vendor, institucione të cilat duhet të garantojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe respektimin e Kushtetutës e ligjeve.
Partia opozitare ngriti gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së mundshme penale të ministres, duke iu referuar nenit 317 të Kodit Penal serb, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës mbi baza kombëtare, racore apo fetare. PSG i kërkoi prokurorisë kompetente të shqyrtojë nëse deklaratat e Paunoviqit përmbajnë elementë të kësaj vepre penale.
Snezhana Paunoviq është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992, ndërsa prej vitit 2024 mban postin e nënkryetares së kësaj partie. Ajo ka qenë deputete që nga viti 2013 dhe në dy legjislatura ka shërbyer si nënkryetare e Kuvendit të Serbisë.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, e ka krahasuar atë me ish-presidentin serb Slobodan Millosheviq dhe ka paralajmëruar se çdo përpjekje për spastrim etnik në Kosovë do të përfundonte njësoj. Ai ka nënvizuar se përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike është tashmë e njohur.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë… Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, shkroi Hoti në Facebook.
Sipas tij, thirrjet për spastrim etnik nuk përbëjnë thjesht kërcënim për Kosovën, por tregojnë se Serbia ende nuk është shkëputur nga ajo që ai e quan “ideologjia gjenocidale e Millosheviqit” dhe nga politikat që shkaktuan luftëra, masakra dhe “turp historik”.
“Sot Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, deklaroi Hoti.
Nga ana tjetër, edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL) reagoi, duke theksuar se deklarata e ministres serbe risjell në vëmendje retorikën e lidhur me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Sipas IKKL-së, krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 janë trajtuar në procese gjyqësore ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë. Instituti vlerëson se përballja me të kaluarën, pranimi i krimeve dhe kërkimi i faljes institucionale mbeten parakushte për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
