Categories: kosovë

Pse ka kundërshtime ndaj projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë?

Më 20 nëntor, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të parë Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Pas votimit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit dhe Lista Serbe paralajmëruan se nisma mund të ndikojë në pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe në mbrojtjen e objekteve të saj fetare.

Shqetësime për kompetencat që do t’i ushtrojë inspektorati mbi pronat dhe objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe ngriti edhe Lëvizja Studentore, fituese e zgjedhjeve në Serbi.

Të lidhura

None found

Kundërshtarët kërkojnë që projektligji të kthehet për plotësim dhe që Kisha Ortodokse Serbe të konsultohet përpara se nisma të procedohet sërish.

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, argumenton se projektligji ka për qëllim riorganizimin e inspektoratit që ekziston, për t’i dhënë më shumë mundësi në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo mohon që ndryshimet e propozuara të cenojnë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe parashikohet edhe në ligje dhe marrëveshje të tjera. Në vitin 2008, Kosova miratoi Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, të bazuar në Planin e Ahtisaarit, për të mbrojtur Kishën dhe pronat e saj. Në mbrojtje përfshihen manastiret, kishat dhe objektet e tjera fetare ortodokse serbe, si edhe lokacione të tjera me rëndësi të posaçme kulturore e historike për komunitetin serb.

Çështja trajtohet edhe në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur më 2023 dhe e shoqëruar me pajtimin e palëve për një aneks zbatimi, përcakton se “Kosova duhet të sigurojë një nivel shtesë të mbrojtjes për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Liritë fetare përfshihen edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Cilat pjesë të projektligjit janë kundërshtuar?

Nisma synon të përcaktojë rregullat për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga institucionet e Kosovës. Lista Serbe, megjithatë, vlerëson se kompetencat e gjera të inspektoratit mund të cenojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e Kishës Ortodokse Serbe, veçanërisht në zonat e mbrojtura.

Lista Serbe, e cila përfaqëson nëntë nga dhjetë deputetët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, kundërshton posaçërisht nenet 5 dhe 6. Sipas këtyre dispozitave, inspektorati mund të kontrollojë në mënyrë të pavarur asetet e trashëgimisë kulturore dhe të urdhërojë ndërprerjen e punimeve, përfshirë proceset e konservimit dhe restaurimit.

Vërejtje ka edhe për mundësinë që inspektorati të nisë procedura për pezullimin apo revokimin e lejeve, si dhe për masat që parashihen kur kryhen ndërhyrje brenda zonave të mbrojtura.

Partia thotë se projektligji nuk e sqaron nëse do të mbeten të garantuara të drejtat e veçanta të Kishës Ortodokse Serbe, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nuk kufizohet te kishat dhe manastiret ortodokse. Ai përfshin edhe tokën e hapësirat përreth tyre, natyrën, peizazhin dhe rrugët e qasjes. Për disa lloje ndërhyrjesh, komunat duhet të marrin pëlqimin e Kishës.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila deri tani ka vepruar me mbështetjen e Beogradit, kërkon që kufijtë e kompetencave të përcaktohen qartë në ligj, në mënyrë që të mos ketë interpretime të ndryshme.

Në raportin vjetor për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian theksoi se rregullat interpretohen ndryshe dhe se janë shënuar shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Komisioni kërkoi që mbrojtja e Kishës, e parashikuar nga Plani i Ahtisaarit dhe e rikonfirmuar në marrëveshjen e vitit 2023, të rregullohet në tërësi me ligj. Po ashtu, ai kërkoi që Këshilli për Zbatim dhe Monitorim të përmbushë plotësisht rolin e vet.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës

Gjatë prezantimit të projektligjit, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, tha se bëhet fjalë për riorganizimin e një inspektorati që tashmë është në funksion. Ajo hodhi poshtë pretendimet se projektligji rrezikon pozitën e Kishës Ortodokse Serbe.

Bogujevci sqaroi se inspektorati ka edhe aktualisht të drejtë të ndërhyjë kur kryhen punime pa leje dhe se kjo kompetencë nuk ndryshon me projektligjin.

Ministrja tha gjithashtu se janë zhvilluar konsultime publike dhe se teksti mund të plotësohet ose ndryshohet para leximit të dytë.

Në komunikatën e saj, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit deklaroi se nuk ishte konsultuar dhe kërkoi që konsultimi të zhvillohet përpara miratimit përfundimtar.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua për koment Qeverisë së Kosovës dhe ministrit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, por nuk mori përgjigje.

Më herët, Rashiq i kishte thënë Radio Kim se deputeti i partisë së tij nuk kishte marrë pjesë në votim, pasi partia nuk ishte informuar sa duhet për projektligjin.

Sipas arsyetimit të Qeverisë, projektligji përcakton mënyrën e themelimit, organizimit dhe funksionimit të Inspektoratit Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si organ ekzekutiv brenda Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Qeveria thotë se nisma do të krijojë kushtet ligjore, profesionale dhe praktike për kontrollin e mënyrës së ruajtjes së aseteve kulturore, vlerësimin e gjendjes së tyre dhe marrjen e masave mbrojtëse kur ato nevojiten.

Pas votimit në lexim të parë, projektligji shqyrtohet nga komisioni përkatës, i cili merr parasysh vërejtjet e palëve të interesuara dhe amendamentet e mundshme. Më pas, teksti i paraqitet Kuvendit për lexim të dytë. Në rast se kërkohet rishikim i mëtejshëm, versioni përfundimtar mund të votohet në lexim të tretë.

Marrëdhëniet e mëparshme mes Kishës dhe autoriteteve të Kosovës

Një përplasje gjyqësore 16-vjeçare mes Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe palëve të tjera kishte në qendër 24 hektarë tokë e pyll. Mosmarrëveshja lidhej me atë nëse pronësia i takonte ndërmarrjeve shoqërore Apiko dhe Iliria apo Manastirit të Deçanit.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të manastirit. Autoritetet lokale nuk pranuan ta zbatonin vendimin, duke e konsideruar “legalizim” të aktit të vitit 1997, kur ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ia kishte dhuruar pronën manastirit.

Bashkësia ndërkombëtare kërkoi në mënyrë të përsëritur zbatimin e aktgjykimit. Vendimi u zbatua në mars të vitit 2024, pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti. Më pas, Kurti deklaroi se nuk do ta ndryshonte qëndrimin e tij ndaj vendimit që e quajti më të dëmshmin ndonjëherë, ndërsa tha se zbatimi ishte bërë për hir të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Edhe punimet në rrugën Deçan–Plavë janë ndalur disa herë, për shkak se traseja kalon në një zonë të mbrojtur. Në vitin 2020, përmes Këshillit për Zbatim dhe Monitorim u arrit marrëveshja që rruga të shmangë Manastirin e Deçanit. Në përbërje të këshillit janë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Një tjetër mosmarrëveshje gjyqësore ka në qendër Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Universiteti i Prishtinës pretendon se objekti i Kishës Ortodokse Serbe gjendet brenda kampusit dhe se u ndërtua pa të drejtë në tokë universitare gjatë viteve ’90, nën regjimin e Millosheviqit.

Reagimi tjetër i Dioqezës

Të dielën, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit kundërshtoi edhe deklaratat e Arbër Rexhajt, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Rexhaj tha se Plani i Ahtisaarit ua mori shqiptarëve trashëgiminë ortodokse shqiptare dhe e shpalli atë serbe.

Në reagimin e saj, Dioqeza tha: “Dioqeza vlerëson se deklarata të tilla kanë tipare të gjuhës së urrejtjes. Ato nxisin armiqësi dhe u japin murgjve, murgeshave, klerikëve dhe besimtarëve arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e tyre”.

Në vitin 2022, Kisha Ortodokse Serbe ndërpreu komunikimin me Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosja, pasi i cilësoi deklaratat e zyrtarëve të lartë joprofesionale dhe nxitëse politikisht.

Çfarë deklaroi Lëvizja Studentore në Serbi?

Më 22 nëntor, Lëvizja Studentore shprehu shqetësimin se projektligji mund të ndikojë në sigurinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.

Në komunikatë thuhej: “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të mbështetet në parime profesionale, në sundimin e ligjit dhe në respektimin e garancive ligjore ekzistuese. Mekanizmat e rinj të inspektimit nuk duhet të dobësojnë mbrojtjen e posaçme të manastireve dhe kishave ortodokse serbe, as të anashkalojnë procedurat dhe kompetencat që parasheh Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura”.

Lëvizja u kërkoi përfaqësuesve ndërkombëtarë të ndjekin procesin, duke pasur parasysh “garancitë ekzistuese sipas së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronës dhe trashëgimisë së saj kulturore në Kosovë dhe Metohi, si dhe garancitë dhe detyrimet juridikisht të detyrueshme që Prishtina ka marrë përsipër në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”.

Në mesin e korrikut, pastori Mark Burns, këshilltar jozyrtar i presidentit amerikan Donald Trump për çështje shpirtërore, u takua me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Pas takimit, ai tha se do t’ia raportonte Departamentit amerikan të Shtetit vëzhgimet e tij lidhur me pozitën e Kishës dhe liritë fetare në Kosovë.

Më vonë, Burns shkroi në rrjetin social X se Departamenti amerikan i Shtetit kishte nisur bisedime diplomatike me Serbinë “për t’i kërkuar llogari Kosovës për trajtimin e keq të të krishterëve, përfshirë besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe”.

të fundit

Apeli lë në fuqi burgimet e përjetshme për Naim Murselin dhe Granit Plavën

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpallën fajtorë dhe u dënuan…

18 minutes ago

Arteta sqaron gjendjen e David Rayas pas dëmtimit në shpatull

Arsenali ka marrë lajme pozitive për gjendjen e portierit David Raya, pasi trajneri Mikel Arteta ka konfirmuar se lëndimi në…

23 minutes ago

Kallëzim penal ndaj drejtuesit dhe tre punonjësve të “Pyjeve Kombëtare” në Dibër

Drejtori i kompanisë pyjore në Dibër, tre punonjës të "Pyjeve Kombëtare" dhe dy persona të tjerë dyshohen për abuzime në…

27 minutes ago

Kosova dhe Turqia shqyrtojnë bashkëpunimin në mbrojtje, siguri dhe fusha të tjera

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi konsultime politike në Ankara me homologun e tij…

30 minutes ago

Resigned after student revolt / Aleksandar Vučić: If they try to arrest me, I’ll go on a hunger strike and a million people will take to the streets

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se në rast se do të tentohej arrestimi i tij, do të niste…

35 minutes ago

Endrit Azemi’s father: We knew nothing about the fraud; I apologize to all Albanians

Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit i arrestuar se mblodhi 189 mijë e 206 euro e 80 centë duke mashtruar…

35 minutes ago