Shqetësimet për sigurinë e Kosovës janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas retorikës kërcënuese të Beogradit, forcimit të kapaciteteve ushtarake të Serbisë dhe deklaratave të fundit të presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër. Në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve, që po zhvillohet në Prishtinë, drejtuesit institucionalë kërkuan që partnerët ndërkombëtarë t’i trajtojnë këto zhvillime me seriozitet.
Të lidhura
None found
Njëkohësisht, në këtë takim u nënvizua nevoja që Kosova të thellojë bashkëpunimin me aleatët e saj në fushën e sigurisë dhe të forcojë më tej pozicionin e saj ndërkombëtar.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u kërkoi ambasadorëve të Kosovës të akredituar në vendet perëndimore që Serbia të përballet me drejtësinë për sulmin terrorist në Banjskë e Ibër-Lepenc. Sipas saj, përgjegjësit e këtij sulmi, përfshirë Milan Radojiçiqin, duhet të dalin para drejtësisë.
Haxhiu kërkoi gjithashtu që autoritetet serbe të hapin arkivat, në mënyrë që të ndihmohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur. Ajo e vlerësoi retorikën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për Ujmanin si një sinjal tjetër shqetësues për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
“Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngaqë do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”, tha Albulena Haxhiu, u.d presidente e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e lidhi rritjen e ndjeshmërisë së sigurisë në rajon me zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se shtimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë duhet parë përtej modernizimit të ushtrisë, në raport edhe me gjuhën hegjemoniste të Beogradit ndaj Kosovës.
“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës”, tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, deklaroi se Serbia vijon të përbëjë rrezik për Kosovën dhe për stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit.
“Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane”, tha Glauk Konjufca, ministër në detyrë i MPJD-së.
Konferenca e 9-të e Ambasadorëve, e zhvilluar me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguria, Partneriteti dhe Zhvillimi”, përcaktoi si prioritete forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, zgjerimin e kapaciteteve të sigurisë dhe avancimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në përballje me sfidat e reja të sigurisë.
