Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, ai e përshkroi verdiktin si “të padrejtë dhe të rëndë”, ndërsa deklaroi se përpjekja për drejtësi dhe për atë që e konsideron të vërtetën nuk mbyllet me këtë vendim.
Sipas Ramës, një verdikt i tillë mund të përbëjë një çast të vështirë, por nuk i jep fund betejës për drejtësi, e cila, siç theksoi ai, do të vijojë në rrugë institucionale dhe ligjore, si dhe me dinjitet.
Rama u bëri thirrje qytetarëve që, veçanërisht në këtë moment, të ruajnë bashkimin dhe dinjitetin. Ai tha se sprovat e tilla e vënë shoqërinë në provë, por pikërisht atëherë duhet të mbizotërojë ajo që qëndron mbi secilin individ: nderimi për sakrificën, historinë dhe të vërtetën.
Duke përsëritur se vendimi mund të shënojë një periudhë të vështirë, por jo përfundimin e angazhimit për drejtësi, kryetari i Prishtinës theksoi se kjo betejë vazhdon institucionalisht, ligjërisht dhe me dinjitet. Ai e përmbylli reagimin me mesazhin se sot duhet qëndruar së bashku, me unitet, vendosmëri dhe dinjitet.
