Një çerek shekulli e më shumë pas mbarimit të luftës në Kosovë, është zhvilluar një takim konsultativ ku është paraqitur versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës. Qëllimi i këtij procesi është ngritja e një evidence shtetërore të verifikuar dhe të besueshme për viktimat e luftës së fundit.
None found
Kryeministri Albin Kurti ka nënvizuar se dokumentimi i krimeve të luftës dhe krijimi i një baze të saktë të të dhënave janë të domosdoshme. Sipas tij, kjo ka peshë si për drejtësinë, ashtu edhe për ruajtjen e kujtesës historike të vendit.
Megjithatë, në qendër të diskutimit mbetet fakti pse një listë e tillë po përpilohet vetëm tani. Po ashtu, vazhdon debati nëse kjo vonesë erdhi si pasojë e neglizhencës apo e kalkulimeve politike përgjatë viteve.
“Neglizhenca dhe pasiguria kanë penguar një listë të besueshme”
Lidhur me këtë çështje, eksperti i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se mungesa e një liste kredibile të viktimave, bashkë me neglizhencën institucionale, kanë prodhuar pasiguri të madhe në trajtimin e krimeve të luftës.
Ai ka vlerësuar se evidentimi i saktë i viktimave është veçanërisht i rëndësishëm për krijimin e bazës ligjore për padi të mundshme ndaj shtetit serb në të ardhmen.
“Neglizhenca, jo siguria, që mund të ketë një listë kredibile, ka rëndësi të madhe për të ngritur herëdokur padi ndaj shtetit serb”, ka deklaruar Burjani.
Sipas tij, tashmë duhet ndërmarrë një hap juridik më i avancuar, i cili do të përfshinte një padi gjithëpërfshirëse për vrasjet masive të shqiptarëve gjatë luftës.
Burjani ka theksuar gjithashtu se më herët ka pasur kalkulime të mëdha politike për sa i përket hartimit të listave të viktimave dhe të dëmeve të shkaktuara nga Serbia.
“Ka pasur shumë kalkulime politike nëse duhet bërë kjo listë, sepse është vlerësuar se mund të arrihet një marrëveshje Kosovë–Serbi përmes dialogut, i cili ka dështuar moti”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, për proceset e ardhshme ligjore mbeten thelbësore si listat e viktimave, ashtu edhe ato të dëmeve, duke përfshirë plaçkitjet dhe shkatërrimin e ekonomive familjare e të pronave private.
“Dokumentimi i viktimave është detyrim moral dhe institucional”
Nga ana tjetër, profesori dr. Muhamet Racaj ka vlerësuar në një bashkëbisedim me “Bota sot” se hartimi i një liste shtetërore të viktimave të luftës në Kosovë, 27 vjet pas përfundimit të saj, përbën një hap të domosdoshëm për shtetin e Kosovës.
Ai është shprehur se çdo shtet që ka kaluar përmes luftës e ka obligim moral, institucional dhe juridik të dokumentojë me saktësi viktimat e agresionit, si për të nderuar dinjitetin e tyre, ashtu edhe për të ruajtur të vërtetën historike.
“Përpilimi i një liste shtetërore të viktimave të luftës është një hap i domosdoshëm për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Racaj.
Sipas tij, megjithëse ky proces po finalizohet tani, ndër vite nuk kanë munguar përpjekjet institucionale për dokumentimin e viktimave, të zhdukurve dhe të prekurve nga lufta.
Racaj ka bërë të ditur se janë ndërtuar baza të ndryshme të të dhënave dhe janë zhvilluar procese verifikimi, por pa u arritur një regjistër unik dhe gjithëpërfshirës në nivel shtetëror.
Ai ka theksuar se nuk është e drejtë të thuhet se kjo çështje është neglizhuar me qëllim nga qeveritë e pasluftës, por as që finalizimi i saj t’i atribuohet vetëm një ekzekutivi.
Sipas profesorit, procesit i ka munguar koordinimi i plotë ndërinstitucional, metodologjia e unifikuar dhe vazhdimësia e qëndrueshme.
Racaj ka nënvizuar se një listë e verifikuar dhe e besueshme ka rëndësi strategjike për Kosovën, pasi e forcon pozitën e saj ndërkombëtare dhe ndihmon në ndjekjen e krimeve të luftës.
Ai ka shtuar se ajo shërben edhe për të penguar mohimin e krimeve dhe për të ruajtur kujtesën historike të viktimave.
Në fund, Racaj ka bërë thirrje që ky proces të trajtohet si projekt shtetëror, përtej ndasive politike e partiake, dhe të përmbyllet në mënyrë transparente e profesionale.
Ai ka theksuar po ashtu se në këtë proces duhet të përfshihen institucionet shtetërore, ekspertët, shoqatat e familjarëve të viktimave dhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të ketë një evidencë të besueshme dhe të qëndrueshme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thuhet se ka ndërhyrë personalisht te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për të…
Vijojnë tashmë prej 37 ditësh protestat masive të cilat kërkojnë largimin e qeverisë ndërsa kusht thelbësor, të menjëhershëm dhe të…
Një nga superkompjuterët më të avancuar të inteligjencës artificiale në Mbretërinë e Bashkuar ka ndërprerë funksionimin pas temperaturave rekord të…
Teksa në Iran po mbahet ceremonia mortore disaditore për Ajatollah Ali Khamenein, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka përcjellë…
Mëngjesin e sotëm, procesioni mortor që mbante arkivolin e Ajatollah Ali Khameneit, filloi udhëtimin e tij nëpër rrugët e Teheranit…
Mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, ka reaguar ndaj kritikave të Real Madridit, duke i akuzuar rivalët se po përpiqen të…