Gjatë një patrullimi të zakonshëm në rrugën “Zoran Gjingjiq”, në Mitrovicën e Veriut, Policia e Kosovës ka gjetur pajisje dhe veshje ushtarake të fshehura brenda një pusete kanalizimi.
Të lidhura
None found
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se, rreth orës 13:30, pjesëtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut po kryenin detyrat e tyre të rregullta kur kanë vërejtur një puset të hapur. Pas kontrollit të hapësirës, policët kanë konstatuar praninë e një qeseje të zezë plastike, e cila u është dukur e dyshimtë.
Qesja është nxjerrë dhe kontrolluar, ndërsa brenda saj janë zbuluar disa veshje dhe mjete ushtarake. Në mesin e tyre ishin pesë kapela ushtarake të gjelbra, dy gjoksore me hapësira për municion, një rrip ushtarak, çanta për vendosjen e karikatorëve, si dhe pajisje të tjera për përdorim ushtarak.
Për gjetjen është informuar prokurori i shtetit. Sipas udhëzimit të tij, në këtë fazë nuk do të nisë procedurë penale.
Pajisjet e zbuluara janë sekuestruar në tërësi, ndërkohë që hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka persona të përfshirë në këtë rast.
Eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se kjo ngjarje nuk duhet të konsiderohet vetëm si një rast i izoluar.

Ai kërkon që të mos arrihet në përfundime përpara përmbylljes së hetimeve, por thekson se mënyra dhe vendi ku janë gjetur pajisjet ngrenë çështje serioze.
Sipas Shalës, zbulimi i pajisjeve dhe veshjeve ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi merr rëndësi të veçantë për shkak se ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, një zonë që ka kaluar tensione, ndikime nga jashtë dhe veprimtari të strukturave hibride ilegale. Për këtë arsye, ai e konsideron rastin një sinjal që kërkon vëmendje më të madhe nga institucionet përgjegjëse për sigurinë.
Eksperti thotë se, pa u përfunduar hetimet, ende nuk mund të jepen konstatime përfundimtare. Megjithatë, fshehja e mjeteve me karakter ushtarak në një hapësirë publike shtron pyetje se kush i ka vendosur, në çfarë kohe janë lënë aty dhe cili ka qenë qëllimi i tyre.
Shala nuk përjashton mundësinë që këto pajisje të kenë qenë të destinuara ose të jenë përdorur për veprimtari të kundërligjshme, përfshirë veprime destabilizuese. Ai e lidh këtë shqetësim me incidentet e mëhershme të sigurisë në veri dhe me sulmet ndaj institucioneve të Kosovës.
Fakti që mjetet janë vendosur në mënyrë të fshehtë brenda infrastrukturës publike, sipas tij, mund të tregojë se dikush është përpjekur t’i mbajë ato jashtë vëmendjes së qytetarëve dhe autoriteteve.
Ai vlerëson se një puset kanalizimi nuk përbën vend të zakonshëm për ruajtjen e pajisjeve. Përzgjedhja e një hapësire të tillë përmban elemente fshehtësie dhe krijon dyshimin se është synuar që pajisjet të qëndronin të padukshme për një periudhë të caktuar.
Sipas ekspertit të sigurisë, rasti duhet të merret si paralajmërim për shtimin e monitorimit, përmirësimin e shkëmbimit të informatave dhe fuqizimin e kapaciteteve parandaluese.
Shala kërkon që Policia e Kosovës të zhvillojë hetim të plotë për të zbuluar prejardhjen e pajisjeve dhe për të verifikuar nëse ato mund të kenë lidhje me individë ose grupe të organizuara. Ai thotë se hetimet duhet të shtrihen edhe në kërkimin e depove të tjera të ngjashme, ku mund të jenë fshehur uniforma apo pajisje të tjera.
Ai shton se, në veri të Kosovës, çdo mjet me natyrë ushtarake që ndodhet jashtë kontrollit institucional duhet të trajtohet si problem i sigurisë kombëtare dhe jo vetëm si çështje policore.
Shala paralajmëron gjithashtu se ngjarje të tilla mund të ndikojnë te mënyra se si qytetarët në veri e perceptojnë sigurinë. Për të parandaluar spekulimet dhe për të ruajtur besimin e publikut te institucionet e sigurisë, ai e konsideron të domosdoshëm një hetim të plotë dhe transparencë nga institucionet.
