Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kundërshtuar nderimin e njësive ushtarake serbe, duke deklaruar se një veprim i tillë institucionalizon mohimin e krimeve të luftës dhe mbron pandëshkueshmërinë.
Të lidhura
None found
Sipas OVL-së së UÇK-së, ceremonitë në nderim të këtyre njësive nuk mund të cilësohen si përkujtimore për sa kohë që arkivat shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë mbahen të mbyllura, ndërsa fati i personave të zhdukur ende nuk është zbardhur.
“Nderimi i njësive ushtarake serbe, ndërsa vazhdohet të mbahen të mbyllura arkivat shtetërore të Serbisë dhe të fshihen provat për krimet e luftës, nuk është përkujtim. Është institucionalizim i mohimit dhe mbrojtje e pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagim.
Organizata ka kërkuar që Beogradi t’i hapë arkivat ushtarake dhe policore, si dhe të bëhet i ditur fati i personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ajo ka theksuar se e vërteta nuk mund të mbulohet “as me medalje, as me nderime shtetërore dhe as me rrëfime të rishkruara”.
OVL-ja vlerëson se mosreagimi ndaj glorifikimit të njësive serbe e forcon më tej mohimin e krimeve. Njëkohësisht, organizata ka përsëritur se Kosova do të kërkojë pa kompromis të vërtetën dhe llogaridhënien për krimet e luftës.
