Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar për ngjarjen tragjike në Gjilan, ku një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur tronditjen e saj dhe ka kërkuar që institucionet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa ka bërë thirrje për masa konkrete kundër dhunës ndaj grave.
“Një shoqëri që vajton pas çdo vrasjeje, por nuk arrin ta ndalë dhunën para se të jetë tepër vonë, duhet të përballet me përgjegjësinë e saj”, ka shkruar ajo.
Sipas Osmanit, kërcënimet dhe rastet e dhunës nuk mund të shpërfillen, pasi ndërhyrja institucionale duhet të ndodhë përpara se situatat të marrin një përfundim tragjik.
“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, thuhet në reagimin e saj.
Deputetja ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për çdo dështim të institucioneve, duke theksuar se nevojiten veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata.
“Drejtësi për viktimat. Përgjegjësi për çdo dështim. Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”, ka përfunduar Osmani.






