Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës kanë falënderuar sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për fjalimin që ka mbajtur të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku raportohej për gjendjen në Kosovë.

Ndërsa, presidentja Osmani fliste për vuajtjet e shqiptarëve, por edhe njerëzve në Bosnje dhe Hercegovinë, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ishin ulur pas saj – për të cilat ajo kërkoi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ishte i pranishëm në seance, tu kërkonte falje.

Siç shkruan portali boshnjak “Slobodna Bosna”, në Nju Jork, presidentja Osmani ftoi zyrtarët e OKB-së që ta vizitojnë Kosovën dhe të shohin vetë progresin e vendit, duke shtuar se do të preferonte të fliste vetëm për të ardhmen e saj – që  nuk është plotësisht e mundur sepse, siç tha ajo, edhe e ardhmja edhe e tashmja janë formësuar nga mungesa e drejtësisë (për krimet serbe gjatë luftës).

“I jemi mirënjohës Presidentes Osmani. Fjalimi i saj për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve, u dëgjua nga e gjithë bota. Fjalimi i tillë do të mbahet mend nga brezat. Ju faleminderit!”, porositën nënat e Srebrenicës, përmes një postimi në platformën “X”.

Në Kombet e Bashkuara, në fillim të majit pritet miratimi i Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

Vuçiq nuk pushon së lobuari kundër këtij akti, ndaj tq hqnqn gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork kërkoi nga të gjithë anëtarët e OKB-së që të mos e lejojnë këtë, duke thënë se në Misionin e Serbisë në OKB është formuar një staf special “i ngarkuar për monitorimin e kësaj tentative”.

 


Shtuar 23.04.2024 18:32