Ndihmësja e Blinkenit pasdite takohet me Kurtin, e shoqëron edhe Gabriel Escobar

Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar pasdite do të shkojnë në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, takimi do të zhvillohet në orën 18:00.

Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, Donfried do ta falënderojë Kosovën për strehimin e afganëve dhe ukrainasve, do të inkurajojë punën në reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet europiane dhe euroatlantike dhe do t’i shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA-ja, e të lehtësuar nga BE-ja, me Serbinë, drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke.

Nga vizita e saj në Kosovë, ajo do të vazhdojë vizitat me disa ndalesa në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Kosovën dhe shtetet përreth javën që shkoi i vizituan tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tilli.

Murphy në Prisjhtinë tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më urgjent se kurrë.

“Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e tona të përbashkëta për të vazhduar proceset e Kosovës për t’u bashkua si NATO-s ashtu edhe BE-së. Natyrisht se më shumë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit në NATO dhe tani është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova që janë në perfieri të një Rusie të vënë në kënd, që këto shtete të kenë mbrojtje”, ka thënë ai.

Senatori Murphy ka thënë se i vjen mirë që Kosova ka pasur përparim në zhvillimin ekonomik dhe në luftimin e korrupsionit./express