Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka komentuar largimin e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për president, duke e vlerësuar këtë zhvillim si një humbje për procesin.
Të lidhura
None found
Sipas saj, situata politike po prodhon pengesa të reja dhe po e bën më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje institucionale. Nagavci theksoi se Kosovës i nevojiten përgjegjësi, stabilitet dhe vullnet për të gjetur zgjidhje.
“Vendimi i prof. dr. Bekim Sejdiut për t’u tërhequr nga gara për President të Republikës përbën humbje për një proces që duhej të promovonte figura me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.
Fatkeqësisht, në vend se t’u krijojmë mundësi personaliteteve të tilla që njohuritë dhe përvojën e tyre t’i vënë në shërbim të shtetit, po ndërtohet një klimë politike që i dekurajon ato. Përpjekjet për ta çuar vendin lehtësisht drejt zgjedhjeve të reja po shkaktojnë kalimin nga një bllokadë në tjetrën dhe po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë krijimin e konsensusit të nevojshëm për vendin.
Kosovës nuk i duhen pengesa të tjera. Ajo ka nevojë për përgjegjësi, qëndrueshmëri institucionale dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.
Prof. Sejdiut i shpreh respektin dhe mirënjohjen time për gatishmërinë e tij për t’i shërbyer Republikës me integritetin dhe profesionalizmin që e karakterizojnë”, ka shkruar Nagavci.
