Familja e ngushtë e Kadri Veselit, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jeton në lagjen Bajr të Mitrovicës. Në shenjë përkrahjeje për ish-krerët e UÇK-së, në këtë lagje ishin vendosur flamuj të UÇK-së dhe flamuj shtetërorë.
Të lidhura
None found
Përpara shtëpisë së familjes Veseli ishin ekspozuar figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në brendësi të shtëpisë mbizotëronte qetësia, e ndërprerë vetëm nga zëri i Charles Smithit, kryetarit të trupit gjykues, gjatë leximit të vendimit të Gjykatës Speciale.
Të pranishmit qëndruan pa lëvizur deri në shpalljen e vendimit. Pas dhënies së aktgjykimit, heshtja u kthye në zhgënjim dhe në ndjenjë padrejtësie mes familjarëve dhe qytetarëve që po prisnin përpara shtëpisë.
Në ato çaste, askush nuk gjente fjalë. Teksa lajmi për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së përhapej, e njëjta gjendje rëndese përfshiu edhe qendrën e Mitrovicës.
Sot, qyteti ishte më i qetë se në ditët e zakonshme. Aktgjykimi i Hagës krijoi një atmosferë të rënduar në rrugë, sheshe dhe lokale.
Qytetarët e pritën lajmin me revoltë, zhgënjim dhe ndjesinë se ishte bërë padrejtësi. Vendimi i Speciales ndaj krerëve të UÇK-së e shënon këtë si një prej ditëve më të rënda që nga mbarimi i luftës.
