Categories: kosovë

“Mision i pamundur”, profesori paralajmëron krizë dhe shpjegon skenarët e koalicioneve

Pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, mbetet ende e paqartë se si do të krijohen institucionet e reja në Kosovë.

Të lidhura

None found

Teksa pritet certifikimi i rezultateve dhe nisja e kontakteve zyrtare mes subjekteve politike, sinjalet që vijnë nuk lënë të kuptohet se negociatat do të jenë të lehta.

Në këtë situatë, një nga pyetjet kryesore është se sa mund të ndikojnë përçarjet e brendshme te aftësia e partive për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Pikërisht për këtë temë, profesori Enver Bytyçi dha një prononcim për “Bota sot”, ku u shpreh se bashkimi i skenës politike në Kosovë është, fatkeqësisht, një “mision i pamundur”.

Sipas tij, partitë opozitare janë rreshtuar në bllok dhe po e pengojnë fituesin e tri proceseve zgjedhore, vetëm për shkak të egos dhe hatërmbetjeve personale.

“Unifikimi i politikës shqiptare në përgjithësi, por edhe unifikimi i politikës në Kosovë, duket se është një mision i pamundur. Historikisht ata që qeverisin kërkojnë unifikim për të krijuar mbështetje për qeverisjen, për programin dhe projektet e tyre. Pavarësisht se projektet, si p.sh. në Shqipëri, kanë të bëjnë me grabitjen e territorit dhe të pasurive kombëtare. Opozitarët bëhen bllok, p.sh. në Kosovë, për t’i dëshmuar atij që qeveris se “nuk mundet të qeverisë pa opozitën”! Nëse janë bërë tri palë zgjedhje parlamentare, ato kanë ndodhur për shkak të egos së politikës, për t’i “dëshmuar” fituesit se nuk mundet ta qeverisë Kosovën i vetëm. Pra për të dëshmuar forcë, ego dhe inat!

Vetëm te shqiptarët ndodh që kur dikush fiton, inati ndaj tij shtohet. Ndërsa në planin praktik, kur dikush është i fortë në Shqipëri, ai respektohet, atij i lëshohet rruga duke iu përulur e kështu me radhë. Kudo në botën demokratike dinjiteti dhe integriteti dëshmohen me punë, rezultate, arritje e besim, te një marrëveshje dhe koalicion me shumicën e shqiptarëve ky integritet dhe ky dinjitet duket se ka marrë kahje tjetër. Ka shumë tendenca që kjo të dëshmohet me anën e forcës, të obskurantizmit, bojkotit dhe bllokimit të formimit të institucioneve”, deklaroi profesori.

Më tej, Bytyçi komentoi edhe deklaratën e Kusari-Lilës lidhur me mundësinë e një koalicioni ose kompromisi mes LVV-së dhe opozitës.

Në analizën e tij, ai foli për skenarët që mund ta presin vendin në ditët e ardhshme, për ecurinë e krijimit të institucioneve dhe për zgjedhjen e presidentit. Po ashtu, ai vuri theksin te nevoja që presidenti ose presidentja e shtetit të jetë figurë jopartiake dhe bashkuese.

“Tani të vijmë te deklarata e Mimoza Kusari-Lilës, e cila ka konstatuar se një koalicion ose marrëveshje e mundshme midis fituesit (Vetëvendosjes) dhe humbësve (opozitës) së paszgjedhjeve të 7 qershorit është thuajse i pamundur për shkak të ekzistencës së grupeve radikale brenda partive opozitare. Kjo panoramë e rrezikon seriozisht formimin e institucioneve, pra zgjedhjen e kreut të shtetit në Kosovë, për të cilin duhet konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. Rezultatet e 7 qershorit dëshmojnë se sovrani është dakord që Albin Kurti të qeverisë, por nuk është dakord që ai ta ketë edhe kreun e shtetit si “pronë” të partisë fituese. Pra, sovrani edhe kësaj here votoi për kompromis, njësoj si në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Çfarë pritet të ndodhë? Si mund të dilet nga kjo situatë e vështirë? Si duhet të sillen partitë politike? Këto pyetje janë të vështira për t’iu përgjigjur.

Por nëse do të duhej një këshillë e vlefshme, atëherë do të thoja që presidentin ta përcaktojë opozita. Por jo me pazare politike, duke favorizuar një ose dy kandidatura. Jo sipas formulës, emri që kam unë është kryetari ose nënkryetari i partisë që pranon kompromisin dhe askush tjetër. Ky është diktat dhe nëse kryetari i shtetit përcaktohet mbi bazën e këtyre parimeve, atëherë ai është i komprometuar dhe i njëanshëm që në momentin që pranohet si kandidat, ende pa u zgjedhur president/e i vendit. Nuk besoj në zgjidhje të tilla, sepse ato në vend që ta forcojnë e dëmtojnë institucionin e presidentit dhe e bëjnë atë ose një opozitar radikal me qeverinë dhe parlamentin, ose një manekin në duart e opozitës. Kjo ka rrezik ta dëmtojë këtë institucion. Kosova nuk ka nevojë për një president/e të tillë, ashtu siç nuk ka nevojë për një president kukull, që plotëson vetëm apetitet e kreut të mazhorancës. Presidenti duhet të jetë i paanshëm, objektiv, i qartë në vendimet e tij dhe i qëndrueshëm e konsistent në qëndrime. Ndryshe e humbet rolin dhe ekuilibrin institucional, gjë që shkakton dëme të pallogaritshme për shtetin dhe të ardhmen e Kosovës”.

Sipas profesorit, rruga e vetme për dalje nga kjo situatë është që opozita të dalë me disa emra dhe ato më pas të shqyrtohen në Kuvend, për të kaluar më tej në votim.

“Në këto kushte ka vetëm një zgjidhje: Opozita si tërësi ose njëra nga dy partitë e mëdha opozitare të përcaktojnë shumë kandidatura, së paku katër ose pesë, dhe mbi këtë bazë të diskutohet me mazhorancën se cili prej tyre plotëson kriterin bazë të ruajtjes së balancës midis institucioneve të shtetit dhe pikërisht për atë kandidat të votohet në parlament. Të tillë kandidatë ka mjaftueshëm në radhët ose te grupimi i simpatizantëve të opozitës, ose të njërës prej dy partive të mëdha opozitare”.

Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të shmangin një njollë të zezë në historinë e tyre dhe të zgjedhin kompromisin, pa e çuar shtetin drejt bojkotit.

“Përçarjet e brendshme si dhe ato midis opozitës dhe mazhorancës duhen evituar. Kush kapet pas egos dhe interesave personale për të dëmtuar shtetin dhe Republikën, ai do të mbajë përgjegjësi historike. Mazhoranca dhe opozita duhet t’ia kursejnë veten njollën e zezë në historinë e tyre politike, duke bojkotuar shtetin, për të cilin janë derdhur tonelata gjak shqiptarësh! Cilido personazh politik që vendos interesin e tij mbi interesin e shtetit dhe të Kosovës është i destinuar të dështojë dhe të mbulohet me turp. Nuk ndodh kjo askund në botë. Nuk ndodh as te shtetet, të cilat janë të njohura ndërkombëtarisht. Nëse ndodh në Kosovë, e cila është një republikë e pavarur e panjohur plotësisht dhe jo anëtare e OKB-së, dëmi që i shkaktohet asaj është shumë herë më i madh sesa në vendet anëtare të OKB-së. Është sinjal i zhvleftësimit të pavarësisë dhe të shtetësisë. Ata që kanë luftuar me mendje ose me armë për lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund t’ia lejojnë vetes të vënë në diskutim fatin e sotëm dhe të ardhmen e shtetit! Ndryshe do të duhet të themi se këta politikanë janë patriotë të rrejshëm!” – përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

të fundit

Raporti i IISS: 144 incidente me dronë të dyshuar rusë mbi 13 vende të Europës, alarm për spiunazh ajror ndaj objektivave ushtarake dhe civile

Rusia dyshohet se ka ndërtuar një operacion të organizuar spiunazhi nga ajri në Europë, duke përdorur dronë për të siguruar…

2 minutes ago

Gjykata rrëzon votimin e raundit të dytë për anëtarët e KGjK-së nga Supremja, kërkon certifikimin e raundit të parë për Memajn dhe Thaqin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të gjyqtares Mejreme Memaj në një konflikt administrativ kundër Këshillit Gjyqësor të…

2 minutes ago

Mucunski: Diplomacia duhet të vihet në shërbim të mundësive ekonomike

"Roli i shtetit nuk është të zëvendësojë sektorin privat, por të krijojë kushte në të cilat sipërmarrja, dijenia dhe kapitali…

9 minutes ago

Scorching heatwave sweeps across Europe, France reports more than 2,000 deaths and even more extreme temperatures are expected

Një valë e fortë të nxehti po godet Evropën, duke sjellë pasoja serioze për shëndetin publik dhe një sërë situatash…

12 minutes ago

Extreme heat hits Europe, more than 2,000 deaths in France and warnings of record temperatures

Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore dhe emergjenca të…

13 minutes ago

Artificial Intelligence in the Western Balkans Is Expanding, but Still Lacks a Full Legal Framework

Sipas një analize të re, administratat publike në vendet e Ballkanit Perëndimor po i përdorin gjithnjë e më shpesh mjetet…

13 minutes ago