Analisti Milaim Nela ka komentuar intervistën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë gazetarit Ermal Panduri, duke vënë në dyshim nëse deklaratat janë hartuar realisht nga vetë Thaçi.
Të lidhura
None found
Sipas Nelës, përmbajtja e intervistës lë të kuptohet se pas saj mund të qëndrojë një person tjetër, i cili ka synuar ta mbrojë ish-presidentin përpara vendimit të Gjykatës Speciale. Megjithatë, analisti vlerëson se rezultati ka qenë i kundërt.
“Intervista e Hashim Thaçit tek Ermal Panduri dyshoj fort se nuk është e tij. Duket se është shkruar nga dikush që ka dashur ta mbrojë në prag të vendimit të Gjykatës Speciale, por në fakt e ka fundosur!”, ka shkruar Nela.
Një nga çështjet që ai vë në pikëpyetje lidhet me deklaratën për periudhën kur delegacioni shqiptar u takua me Bob Dole në Shkup. Nela thotë se Thaçi nuk mund të mos e kujtojë se ku ndodhej në atë kohë.
“E para, nuk besoj se Thaçi të mos e mbajë mend që në kohën e takimit të delegacionit shqiptar me Bob Dole në Shkup ka qenë në Tiranë me Paskal Milon e jo në male të Sharrit!”, është shprehur ai.
Analisti ka kundërshtuar edhe mënyrën se si, sipas tij, në intervistë është vlerësuar kryeministri shqiptar Edi Rama.
Nela e konsideron të pakuptueshëm qëndrimin pozitiv ndaj Ramës, duke pasur parasysh rolin që ai i atribuon kryeministrit shqiptar në disa zhvillime politike që kanë ndikuar Kosovën.
“E dyta, vlerësimi për Edi Ramën që fluturoi me helikopter nga Tirana për ta bindur të votojë me çdo kusht Gjykatën Speciale, e futi në lojën e ‘Ballkanit të Hapur’, pastaj në skenarin e ndarjes së Kosovës, dhe tani bën sikur e mbron, nuk mund të shpjegohet me racionalitet!”, ka deklaruar Nela.
Në përmbyllje të reagimit, ai ka paraqitur tri hipoteza për këtë qëndrim: Thaçi mund të ketë probleme serioze me logjikën dhe arsyetimin, mund të jetë duke u shantazhuar, ose intervista mund të mos jetë shkruar prej tij.
“Ose Thaçi ka probleme serioze me elementet bazikë të logjikës e arsyetimit, është i shantazhuar ose nuk është vetë ai!”, përfundon reagimi i analistit Milaim Nela.
