Ish-eprori i UÇK-së, Naim Miftari, ka reaguar ashpër ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas deklaratës së këtij të fundit se emblemën e UÇK-së e mban në xhepin e majtë të këmishës.
Të lidhura
None found
Përmes një shkrimi, Miftari ka vënë në dyshim fjalët e Thaçit dhe e ka pyetur se ku e ruan emblemën e DGSE-së, shërbimit sekret francez, si edhe fotografinë e Arnaud Danjean, të cilin e cilëson si shefin dhe agjentin francez të lidhur me të.
“Hashim, e ku po e mban emblemën e DGSE-së, shërbimit sekret francez, e foton e shefit tënd, dhëndrit serb agjentit francez, Arnaud Danjean?”, ka shkruar Miftari.
Në reagimin e tij përfshihet edhe vëllai i ish-presidentit, Ganiu. Miftari pretendon se ai mban një emblemë që ia atribuon Ivica Stanishiqit të UDB-së.
Ish-eprori i UÇK-së e ka sulmuar Thaçin edhe për pasurinë dhe karrierën e krijuar pas luftës. Sipas tij, nga një person i varfër dhe azilant në Zvicër, i cili kishte vjedhur farmerka Levi’s 501, Thaçi u shndërrua në multimilioner pasi, siç pretendon Miftari, mbi 90 për qind e Fondit “Vendlindja Thërret” iu vodhën UÇK-së.
Miftari e akuzon gjithashtu se pas përfundimit të luftës, për të siguruar pushtet dhe rol politik, Thaçi shiti e përvetësoi pjesën më të madhe të pasurive të Kosovës. Ai e kritikon edhe për Marrëveshjen K-90, duke pretenduar se me një nënshkrim shumica e ushtarëve të UÇK-së mbetën pa mbështetje dhe “në rrugë”.
Sipas Miftarit, Thaçi përfitoi nga lufta e UÇK-së duke u bërë kryeministër, ministër i Jashtëm dhe më pas president. Ai pretendon gjithashtu se korrupsioni gjatë dhe pas luftës e bëri Thaçin multimiliarder dhe se, përmes tij, Gjykata Speciale iu soll UÇK-së.
Miftari shkruan se Thaçi kishte besuar se ndërkombëtarët e kishin mashtruar, pasi mendonte se ai dhe bashkëluftëtarët e tij nuk do të gjykoheshin, ndërsa proceset do të zhvilloheshin ndaj komandantëve realë të luftës.
Në fund, ish-eprori i UÇK-së e lidh reagimin e tij me atdhetarin Bahajdin Allaqi. Ai e pyet Thaçin nëse telefonin apo librin e mban nën jastëk kur fle, duke lënë të kuptohet se kjo lidhet me pyetjen se ku ndodhet varri i Bahajdin Allaqit.
“Hashim, telefonin a librin po e mban nën jastëk kur po fle, për pyetjen se ku gjendet varri i atdhetarit Bahajdin Allaqi, tjetër herë të pyes?”, ka shkruar Miftari.
