Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar këtë të hënë një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, ai ka shprehur urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës, duke vënë theks të veçantë në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se “mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë”.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona bilaterale dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III, të cilin e ka publikuar Ambasada britanike në Kosovë.
