Mblidhnin informacione rreth UÇK-së për Serbinë, akuzohen për spiunazh dy persona në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit nën dyshimet për spiunazh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt thuhet se Shabani dhe Qerimi kanë ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë me informacione të ndryshme që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën në Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se Bedri Shabani nga një kohë e pacaktuar dhe deri në momentin e arrestimit të tij në shkurt të vitit 2024 ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) në mbledhjen dhe dërgimin e informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj.

“Si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UCK-së në fshatin (e redaktuar) dhe masakrën e (e redaktuar) në atë mënyrë që i pandehuri, të dhënat dhe informacionet në fjalë, ja kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R., përgjegjës për (e redaktuar), si dhe kolonel B.J., ish-komandant i Policisë së Serbisë (e redaktuar) gjatë kohës së Luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e (redaktuar)”, thuhet në aktakuzë.

Tutje bëhet e ditur se transmetimin e këtyre informacioneve Bedri Shabani e ka bërë përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë, çka me këto veprime thuhet në aktakuzë se i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe të sigurinë e Republikës së Kosovës.


Shtuar 25.02.2025 12:45