Majlinda Kelmendi ka konfirmuar sot në mënyrë surprizë se Lojërat Olimpike Tokyo 2020 janë kompeticioni i fundit i karrierës së saj, duke u tërhequr nga xhudo në moshën 30-vjeçare dhe i dhënë fund një karriere të lavdishme, ku u bë e para shqiptare kampione olimpike në histori.
Indicie të kësaj tërheqje Majlinda i kishte dhënë kohë më parë përmes trajnerit të saj, Driton Kuka, i cili kishte lajmëruar se Mjalinda do i bashkohet atij në trajnimin e xhudistëve dhe xhudokave të reja, për të sjellë kampionë të tjerë në Kosovë.
Kelmendi ishte favorite për të fituar të Tokyo këtë vit, por nuk ia arriti, duke u eliminuar në raundet e para dhe e shtyrë akoma më shumë tërheqjen nga sporti, me të cilin hyri në historinë e Kosovës dhe gjithë trojeve shqiptare.
“Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, kam fituar gjithçka. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot dhe tani është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit (Driton Kuka) për t’u munduar të nxjerrim talente të tjera nga Kosova”, ka thënë Kelmendi.
Ajo do mbahet mend si një nga atletet më të mira të trojeve tona. Ajo nisi një faqe të re të historisë me medaljen e artë në Lojërat Olimpikë Rio 2016, kur u shpall kampione në peshën deri në 52 kilogramë.
Kelmendi arriti të shpallet kampione olimpike, kampione botërore (2 herë) dhe kampione e Europës (4 herë). Ajo ka fituar 29 medalje të arta në turne të mëdha të xhudos gjatë karrierës, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.