Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të ruajtur qetësinë dhe për të respektuar procesin gjyqësor pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Të lidhura
None found
Reagimi erdhi nga ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për drejtësinë dhe përgjegjshmërinë.
“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin”, deklaroi Wood.
Sipas tij, ruajtja e qetësisë është veçanërisht e rëndësishme pas vendimit, në një periudhë kur në Kosovë dhe në rajon janë intensifikuar reagimet publike për aktgjykimin.
Apeli i Londrës u bë në të njëjtën ditë kur Dhomat e Specializuara shpallën vendimin e shkallës së parë për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Britania e Madhe ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme stabilitetin dhe proceset e drejtësisë në Kosovë, si edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
