Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka thënë se lojtarët e rinj kosovarë i kanë prioritet vendet ku janë lindur e rritur.
Trajneri zviceran insiston se ky është një realitet që kosovarët duhet ta pranojnë.
Sipas tij, lojtarët që luajnë për ekipet U-19 apo U-21 të vendeve të tjera evropiane, ëndërrojnë që të jenë pjesë e Kombëtares A të atyre vendeve.
E më pas, nëse kjo nuk ndodh, ata i bashkohen ekipit kombëtar të Kosovës.
“Shumë lojtarë të rinj që luajnë për ekipet U-21 të shteteve te tjera, presin se çka do të ndodhë me ta. Ndoshta e ëndërrojnë Gjermaninë apo Zvicrën, apo ndonjë Kombëtare tjetër. Por, ky është realiteti dhe ne duhet ta pranojmë atë dhe të presim. Shpresoj që në të ardhmen të vijnë edhe shumë lojtarë, si rasti i Toni Domgjonit”, ka thënë Challandes në konferencë për shtyp.
Sipas tij, Kosova duhet ta ketë një parim, pra t’i afrojë lojtarët që kanë vërtetë dëshirë të luajnë për “Dardanët” dhe që të jenë cilësorë, pra të kenë luajtur në ekipin U-21 të shteteve prej të cilëve vijnë.