Liburn Aliu: Po të mos ishte rreziku nga Serbia Kosovën s’do ta shihja projekt të përkohshëm

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se Kosova është projekt i përkohshëm dhe pa identitet të plotë, sepse sipas tij Kosova ende është në pasiguri me vetveten me një identitet multietnik. Ai vlerëson se bashkimi i shqiptarëve në një shtet krijon stabilitet.

“Kosova është nën kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia, dhe po të mos ishte rreziku nga Serbia edhe nuk do ta shihja Kosovën si projekt të përkohshëm”, deklaroi Aliu në RTK Prime.

Ai theksoi se bashkimi i shqiptarëve do të sillte stabilitet sepse sipas tij Kosova nuk mund të bazohet në prezencën e KFOR-it. “Kur flasim për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme ne nuk mund të bazohemi në prezencën e KFOR-it sot, sepse nuk dihet si do të shkojnë punët, dhe me rrezikun nga Serbia zgjidhja më e mirë dhe me siguri për stabilitet është bashkimi”, deklaroi Aliu, transmeton RTKlive.

Ai theksoi se “vetëm bashkimi krijon stabilitet në Ballkan, nën kërcënimin e vazhdueshëm nga Serbia. Kosova si e vetme do të jetë përherë e rrezikuar. Nuk po them që s’mund t’ia dalim, ne mund edhe të mobilizohemi mirë, të forcohemi dhe të luftojmë kundër tyre. Por, fatkeqësisht do të jemi të detyruar të jemi tërë kohën të mobilizuar dhe të orientuar nga aspekti i sigurisë në mënyrë që t’i bëjmë ballë. Kësisoj, të bashkuar me Shqipërinë, situata karshi Serbisë së tanishme, e cila ka pretendime të hapura gjithmonë ndaj Kosovës, është opsion përherë”, tha Aliu.

Sipas tij, derisa Serbia instrumentalizon serbët e Kosovës për qëllime të veta, atëherë shoqëria jonë nuk do të jetë multietnike, por multietnikoserbe. “Synimi i Zajednicës është që brenda komunave serbe të jetë shoqëri njëetnike, pra serbe, kurse jashtë tyre shoqëri multietnike dhe serbe”, deklaroi Aliu.

Ministri tha se shoqëri multietnike dhe Asociacion nuk mund të ketë. Aliu deklaroi se shqiptarët e kanë të drejtën që të jetojnë bashkë dhe me këtë edhe ballafaqimi me çdo situatë përball Serbisë do të ishte më i fortë.


Shtuar 22.12.2023 00:41