Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet nesër, pas dakordimit të arritur mes kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për President të vendit.
Të lidhura
None found
Takimet do të zhvillohen në dy etapa. Fillimisht, Abdixhiku do të mbledhë Kryesinë e LDK-së, ndërsa më pas do të zhvillojë një takim me Grupin Parlamentar.
Kryetari i LDK-së deklaroi sot se bashkëpunimi me LVV-në për këtë çështje përbën një “punë të mirë dhe të mbarë” në interes të vendit, duke konfirmuar mbështetjen e përbashkët për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President.
Abdixhiku u bëri thirrje palëve që procedurat të vijojnë “pa vonesa”, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Bekim Sejdiut në postin e Presidentit.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bekim Sejdiun”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët për media me Albin Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Bekim Sejdiu.
