I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pak para takimit të sotëm të nivelit të lartë ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.
Lajçak tha se ekipi menaxhues do të prezantojë draftin teksa shtoi se ai nuk e di përmbajtjen por thotë se procesi duhet të fillojë.
“Së fundi, duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.
Tutje, ai tha se Asociacioni nuk është diçka e imponuar, por për të është rënë dakord në vitin 2013 dhe se sipas tij, është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë evropiane.
“Prandaj ne duhet të zbatojmë atë që është rënë dakord më parë, por në të njëjtën kohë duhet të marrim frymëzim nga zgjidhjet praktike të modeleve ekzistuese evropiane. Ne nuk duam të krijojmë diçka që nuk është testuar kurrë askund në botë, por duam që vendet të gjejnë frymëzim në modelet evropiane që funksionojnë mirë”, theksoi Lajçak.