Kuvendi përballë votimit të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara, ja çfarë pritet të ndodhë

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë më 5 tetor 2026 ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Seanca e jashtëzakonshme plenare ishte planifikuar të niste në orën 09:00, ndërsa kjo çështje është vendosur si pika e parë e rendit të ditës.

Të lidhura

None found

Seanca, megjithatë, nuk kishte nisur ende edhe pse ora e paraparë për fillimin e saj kishte kaluar.

Para mbledhjes plenare, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion u mblodh për të shqyrtuar projektligjin. Mbledhjen e kishte konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.

Komisioni e miratoi projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në votim morën pjesë nëntë deputetë, të cilët votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Pas këtij vendimi, projektligji iu hap rruga për t’u trajtuar në seancën e Kuvendit.

Rendi i ditës i seancës së jashtëzakonshme përfshin gjithsej 22 pika. Përveç ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, deputetët do të shqyrtojnë marrëveshje financiare, zgjedhje në borde e institucione, si dhe projektligje që lidhen me drejtësinë, energjinë, inovacionin dhe buxhetin.

Mes çështjeve të tjera është edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Gjithashtu, pritet të shqyrtohen ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Në agjendë janë përfshirë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Deputetët do të trajtojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rend dite janë përfshirë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimet në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, ndërsa mbrojtja ka njoftuar se do të apelojë pjesën dënuese të aktgjykimit.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja prek disa aspekte të funksionimit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Një nga ndryshimet parashikon që rastet që vlerësohen se nuk janë në juridiksionin e këtyre Dhomave të mund të procedohen në Kosovë.

Nisma përfshin edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vendosjen e kufirit maksimal të dënimit me burgim në 15 vjet dhe ekzekutimin e dënimeve në Kosovë.

Një tjetër propozim do t’u jepte personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara mundësinë të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Shqyrtimi i këtij projektligji po zhvillohet një ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka lidhur gatishmërinë për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia, e cila ka 22 deputetë, është e gatshme të diskutojë dhe të ofrojë votat për presidentin pasi Kuvendi ta përfundojë procedurën e miratimit të ligjit.

Gjatë fundjavës, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime të ndara me Bedri Hamzën dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje para skadimit të afatit kushtetues.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy rundet e para. Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë shumicë, në rundin e tretë kërkohen 61 vota, por që procesi të zhvillohet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka 53 deputetë. Qeveria e saj u zgjodh me 62 vota, pasi u mbështet edhe nga tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputeti serb, Nenad Rashiq.

Përfshirja e 22 deputetëve të PDK-së do të siguronte numrin e nevojshëm të deputetëve për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

Miratimi i projektligjit në lexim të parë nuk do të nënkuptonte përfundimin e procedurës parlamentare. Pas votimit në parim, teksti duhet t’i kthehet komisionit përgjegjës për shqyrtim nen për nen dhe për trajtimin e amendamenteve.

Më pas, projektligji do të rikthehej në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien nga afatet e zakonshme procedurale në raste të caktuara. Kjo mund të bëhet nëse propozimi paraqitet nga së paku gjashtë deputetë dhe mbështetet nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm, me kusht që shmangia të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën.


Shtuar më 5.10.2026 09:25

sultanbeyli escortjojobettipobetVaycasinoCasino welcome bonusjojobetmarsbahisesbetjojobetcasinoroyalkralbet girişKralbetjojobet girişJojobetjojobet girişKralbet girişKralbet girişbahsegelKralbetMarsbahiskingroyalsekabet girişsekabetjojobet girişbahsegelmarsbahis