Categories: kosovë

Kush do ta ushtrojë detyrën e presidentit nëse sot Kosova nuk zgjedh kreun e ri të shtetit?

Kosova e ka afatin deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi nuk ia del, pasoja e parashikuar është e qartë: legjislativi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por mbetet shumë më e paqartë se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas një skenari të tillë.

Të lidhura

None found

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj më të ri për çështjet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës përkatëse.

Në këtë mënyrë, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese që parashikon shpërndarjen e legjislativit.

Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e muajit mars 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Megjithatë, këtu shfaqet një problem tjetër kushtetues: kush qëndron në krye të shtetit? Në rrethana të zakonshme, kompetencat e presidentit do t’i ushtronte kryetari i Kuvendit, si ushtrues detyre i presidentit.

Në situatën aktuale, megjithatë, kjo zgjidhje kushtetuese është ndërlikuar nga fakti se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tashmë e ka ushtruar këtë detyrë për gjashtë muaj.

Haxhiu e mori funksionin e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Por sipas nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Ky afat gjashtëmujor përfundoi të dielën, më 4 tetor.

Pikërisht këtu lind një paqartësi që Kushtetuta nuk e trajton në mënyrë të shprehur: pas mbylljes së periudhës maksimale gjashtëmujore të ushtruesit të detyrës, kush i ushtron kompetencat presidenciale, ndërsa presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?

Sipas interpretimeve të disa organizatave të shoqërisë civile në vend, kufiri gjashtëmujor i nenit 90 është absolut. Me këtë lexim, Haxhiu nuk mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale vetëm për shkak se presidenti i ri ende nuk është zgjedhur.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumenton se pas skadimit të këtij afati, vendi mbetet pa ushtrues detyre të presidentit. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo krijon rrezik për kaos kushtetues, sepse pa president disa detyra të rëndësishme shtetërore mund të mbeten pa u ushtruar.

Jakaj kujton se presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, sipas tij, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion.

Ai shton se ushtruesja e detyrës ishte parashikuar si një zgjidhje e përkohshme, gjatë së cilës partitë politike do të duhej të arrinin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Sipas vlerësimit të tij, deri tani vëmendja është përqendruar më shumë te pyetja se cilës parti i takon posti, sesa te procesi dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti.

Kjo zbrazëtirë kushtetuese krijon një problem praktik të menjëhershëm: nëse deri sonte në mesnatë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, kush do t’i ushtronte kompetencat e tjera që Kushtetuta ia rezervon presidentit dhe kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme?

Në një analizë të publikuar më 2 tetor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka shqyrtuar ushtrimin e detyrës së presidentit përtej kufirit gjashtëmujor, vlerësoi se Kushtetuta nuk parasheh qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të këtij afati.

KDI i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentit, ose palëve të tjera të autorizuara, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me ushtrimin e këtyre kompetencave pas 4 tetorit dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast se presidenti nuk zgjidhet. Deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është bërë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën e Presidentes nëse Haxhiu mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të afatit gjashtëmujor, kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme në rast të shpërndarjes së Kuvendit dhe nëse për këto çështje do t’i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjykata Kushtetuese, deri më tani, nuk e ka zgjidhur shprehimisht këtë vakuum kushtetues. Sipas KDI-së, mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të gjashtëmujorit krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të presidentit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi disa prej këtyre kompetencave janë të nevojshme për daljen nga kriza. Presidenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së kësaj pozite, është ai që shpall zgjedhjet për Kuvendin dhe, pas zgjedhjeve, thërret mbledhjen e parë të legjislaturës së re.

Prandaj, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, çështja nuk ka të bëjë vetëm me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, por edhe me atë se kush do ta ketë autoritetin për t’i shpallur ato.

Sipas Jakajt, duke qenë se duket se nuk do të ketë një marrëveshje të shpejtë mes partive politike, ndoshta Kuvendi është dashur që të hënën ta zhvillojë procesin e votimit për president, edhe nëse votimi do të dështonte.

Sipas tij, në atë rast ushtruesja e detyrës do të mund t’i thërriste partitë politike dhe të caktonte datën e zgjedhjeve të reja. Pas zgjedhjeve, Kuvendi i ri do të mblidhej brenda afatit kushtetues dhe do ta zgjidhte presidentin. Më pas, presidenti do të caktonte mandatarin për formimin e Qeverisë. Ky, sipas Jakajt, do të ishte një opsion urgjent për ta nxjerrë vendin nga bllokada.

Në mungesë të një interpretimi të qartë kushtetues, kjo dilemë mund të përfundojë sërish para Gjykatës Kushtetuese. / REL

të fundit

Partizani mobilizon tifozët për derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës

Tifozët e PartizanitPartizani ka reaguar sërish lidhur me derbin e kryeqytetit përballë Tiranës, ndeshje që do të zhvillohet këtë të…

9 minutes ago

Një vit nga v*asja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Prokuroria Tiranë mbyll hetimet, çon në gjyq Elvis e Gjon Shkambin

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe ka dërguar në gjyq tre…

11 minutes ago

PDK kërkon thirrjen e menjëhershme të seancës për ligjin në mbrojtje të UÇK-së dhe çlirimtarëve

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Kryetares së Kuvendit që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen…

14 minutes ago

PSG drejt vendimit për stadiumin e ri, projekti parashikon investim prej 2 miliardë eurosh

Paris Saint-Germain po përgatitet të bëjë një njoftim spektakolar në lidhje me vendndodhjen e stadiumit të tyre të ardhshëm në…

14 minutes ago

OVL UÇK kërkon lirimin e Ekrem Selimit dhe Fadil Zogajt pas ndalimeve në protestë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas përleshjeve në protestën e djeshme në Prishtinë, duke kritikuar…

14 minutes ago

Adeyemi fiton besimin e Barcelonës, pushimi mund ta rikthejë në formacion ndaj Getafes

Karim Adeyemi është shndërruar në një nga surprizat më të këndshme të fillimit të sezonit te Barcelona, duke i larguar…

15 minutes ago