Kurti takim me përfaqësuesin e BE Sorensen: Normalizimi i raporteve me Serbinë vetëm përmes njohjes reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Lajmin për takimin e ka njoftuar vetë Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Kryeministri ka theksuar se Kosova mbetet e angazhuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke nënvizuar se zgjidhja e qëndrueshme duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Dje, prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke,” tha Kurti në “X”.


Shtuar 24.02.2026 16:09