Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Shkup në ceremoninë kushtuar 116-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se pjesëmarrësit ishin mbledhur në Shkup për të përkujtuar një nga figurat shqiptare më të njohura të shekullit XX.
Duke përshkruar rrugëtimin e saj, ai kujtoi se Nënë Tereza lindi në Shkup, ndërsa origjina familjare e lidhte me Prizrenin dhe Gjakovën. Sipas Kurtit, ajo e ndjeu thirrjen në Letnicë, filloi në Irlandë përgatitjet për misionin e saj dhe, më pas, në Indi ia kushtoi tërë jetën shërbimit.
Kurti nënvizoi se veprimtaria e saj nuk u kufizua te një komb, besim apo shtet i vetëm. Ai theksoi se dimensioni universal i Nënës Terezë nuk e mohonte prejardhjen e saj, por e zgjeronte atë.
Kryeministri në detyrë përmendi edhe laureimin e saj me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Ai tha se, gjatë pranimit të çmimit, Nënë Tereza nuk e paraqiti paqen si një ide të largët, por si diçka që nis nga njeriu, nga përkujdesja ndaj tjetrit dhe nga respektimi i dinjitetit të secilit.
Sipas Kurtit, njohja ndërkombëtare dhe Çmimi Nobel nuk ishin të vetmet arsye që e bënë atë një figurë universale. Nënë Tereza e fitoi këtë përmasë duke qëndruar pranë individit: ndërsa bota shihte miliona njerëz, ajo dallonte një njeri të vetëm; kur bota diskutonte për varfërinë, ajo i afrohej të varfrit. Pikërisht përmes kësaj afërsie, shtoi ai, ajo ngriti një vepër që tejkaloi kufijtë racorë, fetarë, kombëtarë dhe shtetërorë.
