Kurti: Nuk ka propozime që pranohen e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk do të pranojë propozime lidhur me dinarin e që janë në kundërshtim me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se rregullorja e re “nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare”.

Sa i takon çështjes së dialogut politik me Serbinë, ai thotë se ky proces ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes pa respektim të saj”, tha Kurti.

Duke folur për çështjen e tokave rreth Manastirit të Deçanit, ai thotë se ka përfunduar gjithçka dhe, sipas tij, Kosova e ka rastin unik që në pranverë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në Bruksel po zhvillohen takime në nivel të kryenegociatorëve. Është paralajmëruar se do të bisedohet për çështjen e dinarit. Ndërsa, presidentja e Kosovës paralajmëroi dje [18 mars] se ka një pajtim për një pjesë të propozimit amerikan. A mund të na tregoni se për çfarë bëhet fjalë?

Albin Kurti: Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, si kryenegociator i Republikës së Kosovës, ndodhet në Bruksel dhe atje po i zhvillon bisedimet, me ç’rast nuk e di nëse do të ketë takim trelateral apo vetëm dy takime bilaterale me ndërmjetësin evropian dhe emisarin e posaçëm [të BE-së, Mirosllav] Lajçak. Besoj se ai duhet të na njoftojë se për çfarë temash është diskutuar saktësisht dhe çfarë konkluzionesh do të mund të jenë arritur.

Por, më duhet të them se kjo nuk është çështje e dinarit, është çështje e Bankës Qendrore të Kosovës, institucion i pavarur i Republikës sonë. Pra, nuk është në pyetje a të ketë dinar ose jo, por a duhet të jetë BQK-ja institucion i pavarur ose jo. Unë besoj që duhet të jetë dhe ky është obligim yni kushtetues e ligjor. Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por Kushtetuta në nenin e saj të 11-të thotë që mund të ketë vetëm një valutë si mjet pagese dhe kjo duhet të jetë euro.

Ndërkohë, të gjitha problemet, të cilat mund t’i kenë qytetarët serbë, ne do t’i adresojmë me shpejtësi. Sërish, Banka Qendrore e Kosovës e cila prin në këtë proces – meqenëse rregullorja e saj e re e datës 27 dhjetor është vendim i pavarur i Bankës Qendrore – ajo i adreson me ta dhjetë hapat, të cilët i ka paraparë në një plan me fazën transitore tremujore.

Tash, më 27 mars do të bëhen tre muaj dhe unë besoj që të gjithë ata që e kanë parashikuar apokalipsin më 1 shkurt, nuk ndodhi as më 1 shkurt, as më 1 mars, e nuk do të ndodhë as më 1 prill.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë mendoni që e pati fjalën presidentja [e Kosovës, Vjosa Osmani] kur tha që ka një pajtim në atë që është thënë nga amerikanët?

Albin Kurti: Tash, unë e kam kryenegociatorin atje dhe besoj që ai do të diskutojë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku jemi, [me] çka mund të ecim përpara.

Por, unë gjithashtu e marr përgjegjësinë që pasojat e caktuara, të cilat mund të shkaktohen në terren, mund të jenë çështje e Qeverisë -jo vendimi si i tillë, i cili është sovran i Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe një herë, ne vetëm
bëjmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës në terren – nëse ka pasoja të caktuara që u referohen ministrave tanë për çështjen e dinarit.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që do të ketë diçka konkrete sot?

Albin Kurti: Unë gjithmonë pres që do të ketë diçka konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë?

Albin Kurti: Unë pres që do të ketë në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse takimet, edhe të nivelit të kryenegociatorëve, edhe të nivelit të lartë që zhvillohen në Bruksel, zhvillohen pikërisht për këtë gjë.

Radio Evropa e Lirë: Dua të kthehem prapë tek ajo që e thashë më herët. Presidentja ka thënë se ka një lloj pajtimi për këtë gjë. A jeni konsultuar me presidenten?

Albin Kurti: Ka pasur vazhdimisht opsione të ndryshme për çështjen e dinarit. Unë nuk besoj që duhet të diskutohen tash, sepse dëmtohet pozicioni negociator i Kosovës nëse ato shpalosen para kohe. Ajo çfarë mund të them është që Qeveria po e bën më të mirën e mundshme, me përkushtim maksimal dhe natyrisht që këtë ne e kemi si mbështetje për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare.

Ju e dini që ne kemi ndarë një buxhet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ne e dërgojmë atje ndihmën financiare në euro, ndërkaq në banka atje merret në dinarë.

Ngjashëm do të mund të ishte edhe këtu. Pra, ajo dërgesa që vjen në dinarë, do të mund të merrej në euro.

Radio Evropa e Lirë: A do të ndodhë kështu edhe në Kosovë?

Albin Kurti: Po, kështu do të ndodhë dhe kështu tashmë po ndodh sepse kemi diku mbi 33.000 xhirollogari të serbëve të Kosovës ku ata i marrin eurot e buxhetit të Republikës si ndihmë sociale, si pension, shtesa për fëmijë në xhirollogaritë e nënës e kështu me radhë. Dhe, nuk kemi asnjë serb deri më sot që ka thënë ‘unë e refuzoj euron’. Nuk ka. Gjithashtu, dinari nuk ka asnjë martir. Pra, asnjë serb nuk thotë ‘o dinar, o asgjë’.

Radio Evropa e Lirë: Por, a është pajtuar Serbia që ta bëjë këtë pagesë në euro?

Albin Kurti: Serbia e ka shansin unik që guvernatori i Bankës Popullore të Serbisë t’i përgjigjet guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili – dhe në këtë mënyrë dy bankat qendrore ta rregullojnë çdo paqartësi.

Pra, njëra ndër opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të cilën janë të njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë, është që më në fund guvernatori Ismaili të marrë letrën e përgjigjes.


Shtuar 19.03.2024 14:18