Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë kërkon hapjen e dosjeve dhe arkivave në Beograd. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë për të bërë publike informacionet që mund të ndihmojnë në gjetjen e tyre.
Të lidhura
None found
Kurti foli sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë. Në ceremoni ishte e pranishme edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ai theksoi se nuk ka më kohë për të pritur hapjen e dosjeve të klasifikuara. Kurti falënderoi ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës që morën pjesë në homazhe dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian, të kërkojnë nga Serbia hapjen e këtyre dokumenteve.
Kryeministri në detyrë kujtoi se Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përfiton prej tij fonde që arrijnë në qindra e qindra milionë. Ai tha se Kosovës i kushtojnë shumë gërmimet dhe kërkimet në terren, ndërsa informacionet e marra shpesh janë të paplota ose të pasakta. Për këtë arsye, organet shtetërore përballen me vështirësi dhe zhgënjim, pasi pas shumë kërkimesh gjenden ende pak trupa.
Sipas Kurtit, një pjesë e madhe e këtyre operacioneve rreth Kosovës do të shmangej nëse në Beograd do të hapeshin dosjet. Ai nënvizoi se mbajtja e tyre të mbyllura rëndon jo vetëm mbi familjet e të zhdukurve, por edhe mbi shtetin e Kosovës.
“Hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për të zbardhur të vërtetën, për t’u dhënë të dashurve tanë varrime dinjitoze dhe për t’u dhënë familjeve që presin në ankth përgjigjet e shumëpritura. Një hap i tillë do të ndihmonte gjithashtu në forcimin e paqes së përgjithshme në rajonin tonë”, deklaroi Kurti.
