nga Gazeta Express
Ambasadorët e shteteve të QUINT’it i kanë shkuar sot në zyre Kryeministrit Albin Kurti për t’ia dhënë mesazhin e qartë lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave: nuk e mbështesin.
Mesazhi iu dha nga Ambasadori i Shteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili pas takimit deklaroi se vendet QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku ,me ambasadorin e BE në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë”, deklaroi Hovenier para gazetarëve.
Tema për hapjen e urës ishte diskutuar në takimin e para rreth dy javësh që Kryeministri Albin Kurti e kishte me ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit pas atij takimi.
Një ditë pas këtij takimi, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt.
“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”-
Një përgjigje për këtë çështje, Kurtit i ka ardhur dje edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar dje se çështja e rihapjes së urës për qarkullim është çështje që i përket dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut.
Kundër kësaj, ka reaguar dje Presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se kjo nuk duhet të bëhet asesi temë e dialogut me Serbinë, sepse do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetueshmërisë së Kosovës.
Sipas saj, dialogu i vetëm duhet të bëhet në të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. 🇽🇰”, ka shkruar Osmani”, ka shkruar Osmani.
“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha Kurti muajin e kaluar.
Historia e Urës së Ibrit dhe e marrëveshjeve që janë nënshkruar për hapjen për qarkullim
Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për revitalizimin e Urës.
Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada të betonit, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.
Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku fillimisht parashihej mbyllje e dy anëve të Urës me barriera fikse dhe me kantier deri më 15 tetor 2015. Sipas kësaj marrëveshje parashikohej që Ura të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.
Përveç kësaj, ishte paraparë edhe rivitalizimi i rrugës kryesore “Mbreti Petar” në një zonë këmbësore, gjithashtu deri në fund të qershorit 2016.
Po ashtu i parashikuar edhe përcaktimi i hartave të kufijve administrativ të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy Komunave të Mitrovicës.
Megjithatë, përkundër kësaj marrëveshje, revitalizimi s’ishte kompletuar deri në qershor të vitit 2016.
Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në një plan të implementimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të revitalizimit të Urës së Ibrit.
Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që të rivitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Petar” deri më 14 gusht 2016, dhe që të hapet Ura për të gjithë trafikun më 20 janar 2017, dhe gjithashtu të angazhohen për konkluzionet e mëparshme për përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet Mitrovicës Jugore dhe Veriore deri më 14 tetor 2016.
Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur për të gjithë trafikun dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh.