Kurti: Dialogu s’është prioritet i yni! Stërvitja ushtarake e Serbisë s’mund të bëhet 10 m larg kufirit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk është prioritet i Qeverisë.

Kurti kishte thënë se dialogun e ka prioritet të shtatë para se të vinte në pushtet, por është kritikuar se më së shumti kohë gjatë qeverisjes ka shfrytëzuar aty.

Kurti ka këmbëngulur se dialogu s’është prioritet i parë por është dukur ashtu për shkak të vëmendjes mediale e ndërkombëtare.

“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, ka thënë shefi i Qeverisë gjatë konferencës për media që e mbajti të premten për shënimin e trevjetorit të ardhjes në pushtet.

Sa i përket lëvizjeve të ushtrisë serbe në kufi, Kurti ka thënë se deri tash s’ka pasur informacione se janë afruar sërish.

“Gjithçka është nën vëzhgim. Deri tash, në ora 16, nuk ka asnjë dëshmi që janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrimet ushtarake, por ushtrimet s’mbahen 10 metra afër kufirit. Nëse duam normalizim, ushtria rri në kazerma, nuk vjen në kufi. Duket që dita e sotme do të jetë ndryshe nga e djeshmja”, ka thënë ai.


Shtuar 22.03.2024 16:44