Kurti dhe VV në “fushatë kundër” BDI, Talat Xhaferin në Prishtinë e takoi vetëm Presidentja Osmani

Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ishte ndër mysafirët specialë, krerë shtetesh, që i ftoi presidentja Vjosa Osmani në Forumin për Gratë, Sigurinë dhe Paqen që e mbajti ajo në Prishtinë. Kjo ishte edhe vizita e tij e parë në Kosovë pasi mori postin e shefit të ekzekutivit në shtetin fqinj.

Sot presidentja Vjosa Osmani ripublikoi në X njoftimin se ka takuar kryeministrin Xhaferi. Ajo e falënderoi atë për përkrahjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës.

“Këtë javë, në kuadër të Forumit të Grave, Sigurinë dhe Paqen takova edhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Krahas përkushtimit të përbashkët për forcimin e partneritetit tonë, falënderova Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës dhe organizata tjera ndërkombëtare”, shkroi sot Osmani.

Nën hijen e fushatës zgjedhore që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, një takim i tillë nuk ndodhi mes Xhaferit dhe homologut të tij, Albin Kurti.

Xhaferi i Bashkimit Demokratik për Integrim qëndron në anën e kundërt të bllokut që përkrah Kurti në garën presidenciale për zgjedhjet e 24 prillit

BDI në këto zgjedhje garon me Bujar Osmanin si kandidat për president. Ndërkaq, partia e Ali Ahmetit është bashkuar me partitë e komuniteteve joshqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryesisht turk, rom dhe boshnjak.

Në mes kritikash për ndërhyrje në shtetin fqinj, Albin Kurti me Vetëvendosjen është përfshirë në këtë garë duke marrë pjesë në koalicionin e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që fillimisht u njoh me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Por, kjo kaloi në VLEN pasi V-ja u shtua për Vetëvendosjen. Kandidat i këtij koalicioni për president u nominua Arben Taravari.

Para dy ditëve, zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes shkuan në Shkup së bashku me liderët e koalicionit VLEN.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, kryeparlamentari Glauk Konjufca, së bashku me Arben Taravarin, Izet Mexhitin, Bilall Kasamin, Afrim Gashin dhe Bekim Qokun kanë ecur nëpër çarshinë e Shkupit, ku kanë takuar qytetarë. Më vonë u raportua që edhe ministrja Albulena Haxhiu mori pjesë në këto tubime elektorale.

Talat Xhaferi e kishte thënë drejtpërdrejt se Albin Kurti po përzihet në politikën e Maqedonisë së Veriut.

“Nuk mund të definohet ndryshe përpos përzierje përderisa një kryeministër, qoftë edhe nën pretekstin si kryetar i një subjekti politik në çfarëdo aspekti, mund të edhe të perceptohet si përzierje. Nuk mendoj që i bën mirë Kosovës dhe vetë subjektit që udhëheq për shumë arsye. Kjo sepse hap dyer që nuk duhen hapur. Ne jemi për të bërë ndryshime për të mirë”, kishte thënë më herët Xhaferi për Kurtin./express 


Shtuar 19.04.2024 13:38