Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lumir Abdixhiku, drejtues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë nisur një takim të ri në Kuvend, ku në fokus është çështja e presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found

Takimi ishte paraparë të mbahej në ora 12:00, në kuadër të përpjekjeve për zhbllokimin e situatës politike, arritjen e një marrëveshjeje për presidentin e ri dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Para hyrjes në takim, Kurti u shpreh optimist se ekzistojnë mundësi reale për një marrëveshje, duke theksuar vullnetin e mirë të të dyja palëve.
“E kemi vullnetin e mirë, i kemi mundësitë reale. Tash po ecim përpara, siç po e shihni, dhe urojmë të arrijmë në një marrëveshje”, tha Kurti.
Dy liderët janë takuar disa herë gjatë ditëve të fundit, ndërsa bisedimet e tyre janë përqendruar kryesisht te gjetja e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit dhe parandalimi i shkuarjes në zgjedhje të reja.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut u mbajt të shtunën në mbrëmje. Pas përfundimit të tij, palët nuk dhanë detaje konkrete për përmbajtjen e diskutimeve. Kurti deklaroi shkurt se lajmet do të bëhen të ditura kur të ketë rezultate.
Abdixhiku kishte arritur në Kuvend para Kurtit, por nuk bëri deklaratë për mediet. Deri tani, asnjëra palë nuk ka konfirmuar nëse është arritur pajtim për emrin e presidentit, ndërsa takimi i sotëm përbën një tjetër përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike.
