Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket se janë afër një dakordësie që mund t’i japë fund krizës politike dhe të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve të tjera të jashtëzakonshme. Sipas zhvillimeve të fundit, palët tashmë kanë përcaktuar profilin e presidentit, ndërsa mbetet vetëm emri.
Të lidhura
None found
Megjithatë, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku nuk kanë dhënë ende një përgjigje përfundimtare se çfarë karakteristikash duhet të ketë presidenti ose presidentja e re e Kosovës. Për këtë çështje ka folur edhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
“Duhet t’i ketë 35 vjeç dhe duhet të jetë rezident dhjetë vitet e fundit në Kosovë. Pastaj, konsensual nënkupton një person i cili i sheh partitë politike të njëjta dhe të mos i shohë partitë politike si kundërshtarë.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti është faktor i unitetit, i cili ka për detyrë bashkëpunimin e partive politike parlamentare. Po ashtu, ka për detyrë ruajtjen e rendit juridik dhe kushtetues të vendit. Duhet të jetë një njeri normal, që ka njohuri politike dhe ka përvojë institucionale…”, deklaroi Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për A2CNN.
Pas përcaktimit të këtij profili, ngrihet pyetja nëse në Kosovë ekziston një person i tillë që mund të zgjidhet në postin e presidentit.
“Ka njerëz mjaftueshëm të tillë në Kosovë. Nuk duhet të kërkojnë diçka që nuk ka. Këta po kërkojnë diçka që nuk ka. Çfarë kategorie, çfarë karakteri duhet të ketë ai? Duhet të jetë njeri normal dhe sigurisht si presidentët e tjerë që kanë qenë”, u shpreh Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kurti dhe Abdixhiku e përfunduan takimin me zotimin se do të rikthehen në bisedime, këtë herë me emra konkretë, pasi të kenë zhvilluar konsultime me anëtarët e partive të tyre.
