Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vendosi kurora me lule të freskëta dhe kreu homazhe te varri i profesorit Ejup Statovcit, me rastin e 29-vjetorit të protestave studentore dhe në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Të lidhura
None found
Duke evokuar 1 tetorin e vitit 1997, Kurti u shpreh se atë ditë u thye heshtja nën okupim, u shpërbë pasiviteti ekzistues dhe i gjithë populli iu bashkua studentëve.
“Duke ju falënderuar Rektorit të atëhershëm, Profesor Ejup Statovcit, protestat studentore u ngritën në nivel të Universitetit të Prishtinës dhe kemi qenë bashkë mësimdhënësit edhe ne studentët, me 1 tetor të vitit 1997, kur u thye heshtja nën okupim, u davarit pasiviteti që ekzistonte dhe i gjithë populli u bë bashkë me studentët që e shndërruan rezistencën në aktive dhe i dhanë një dinamikë të re politikës në Kosovë”, tha Kurti.
Ai theksoi se studentët kërkonin lirimin e objekteve universitare, ndërkohë që profesori Ejup Statovci qëndronte në ballë të studentëve dhe mësimdhënësve.
“Ne kërkonim lirimin e objekteve universitare. Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës dhe Profesor Ejup Statovci ishte në ballë të studentëve dhe të gjithë mësimdhënësve”, tha ai.

Kurti kujtoi se në atë kohë ishin rreth 20 mijë studentë dhe një mijë mësimdhënës.
“Atëbotë kanë qenë diku 20 mijë studentë dhe një mijë mësimdhënës dhe Rektori Statovci ka qenë udhëheqës, ka qenë profesor shumë i nderuar, ka qenë akademik, por edhe njëkohësisht i urtë, por i vendosur. I mençur, por aktiv. Profesor, po me studentët”, tha kryeministri Kurti.
Duke sjellë në kujtesë kontributin e profesor Statovcit, Kurti përmendi edhe vitin 1991, kur ai e rifilloi Universitetin e Prishtinës pasi studentët dhe mësimdhënësit ishin dëbuar nga objektet universitare.
“Kurrë nuk e harrojmë edhe vitin 1991, se unë besoj që ai është momenti kur ai e ka dëshmuar veten në lartësinë e duhur edhe historike do të thosha, kur e ka rifilluar Universitetin e Prishtinës, pasi që na kishin dëbuar nga objektet universitare”, tha Kurti.
“Mbase Ejup Statovci kur e ka rifilluar Universitetin e ka pasur edhe më vështirë në vitin 1991, sesa dy dekada para atij viti kur u pat themeluar Universiteti i Prishtinës. Pra, mund të themi që Ejup Statovci nuk e ka pasur më lehtë se Dervish Rozhaja, mbase veçse më vështirë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës është institucioni kryesor i shqiptarëve në ish-Jugosllavi në gjysmën e dytë të shekullit XX.
“Prandaj, edhe nderimi që ja bëjmë Profesor Ejup Statovcit, është edhe nderim Universitetit, këtij tempulli të dijes e të shkencës, po njëkohësisht edhe të qëndresës e të politikës”, tha Kurti.
