Kumbaro në Prishtinë, takohet me Vjosa Osmanin: Mysafirët nga Kosova baza më e qëndrueshme e turizmit të Shqipërisë! Dakordësuam për mundësi të reja bashkëpunimi

Mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe forcimi i promovimit të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka qenë ky fokusi i takimit mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Kumbaro ka vizituar sot Prishtinën, ku gjatë takimit me presidenten, tha se turistët të cilët vijnë nga Kosova për të vizituar vendin tonë, janë baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor.

“Kryefjalë të bisedës kishim turizmin dhe shkëmbimet mes dy vendeve tona ku mysafirët nga Kosova mbeten baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor, por lajmi i mirë është se edhe shqiptarët e Shqipërisë çdo vit e më shumë po preferojnë të vizitojnë atraksionet turistike e natyrore të Kosovës. Dakordësuam për mundësi të reja bashkëpunimi në turizëm, forcim të promovimit të përbashkët mes vendeve tona, si edhe i përcolla Presidentes Osmani ftesën për një vizitë në Shqipëri nga zonat malore në bregdet, përfshirë edhe lumin Vjosa, tashmë Park Kombëtar”, është shprehur ministrja Kumbaro.

Nga ana tjetër, presidentja Osmani vlerësoi zhvillimin dhe rritjen që ka përjetuar Shqipëria në turizëm, duke pritur shifra rekord vizitorësh.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime edhe me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari si dhe kryetarin e PDK, Memli Krasniqi. Ministrja Kumbaro do të marrë pjesë gjithashtu në aktivitetin për çeljen e sezonit turistik të Lezhës që do të mbahet në Prishtinë, në simbolikën e mirënjohjes për të gjithë shqiptarët e Kosovës që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.


Shtuar 22.05.2024 17:06