Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar pas bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, duke i kërkuar Partisë Demokratike të Kosovës që të propozojë një emër të ri për postin e nënkryetarit.
Të lidhura
None found
Sipas Krakit, PDK-ja kishte penguar më herët konstituimin e Kuvendit, duke kërkuar ndryshimin e emrit të kandidatit për këtë pozitë.
“A ju kujtohet qysh PDK e patën blloku konstituimin e Kuvendit me atë kërkesën ‘Ndrrone emrin!’? Ne i patëm ndërru jo 1, por 5 emra që të zhbllokohet situata”, ka shkruar Kraki.
Ai ka vlerësuar se tani PDK-ja duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë, duke paraqitur një kandidat tjetër në mënyrë që Kuvendi të vijojë punën.
“Tash është e udhës dhe korrekte që PDK ta propozojë dikë tjetër për nënkryetar të Kuvendit dhe ta vazhdojmë punën”, ka deklaruar ai.
Kraki ka theksuar gjithashtu se kjo parti ka alternativa të tjera për këtë pozitë.
“Janë edhe 21 emra të mundshëm”, ka shkruar ai.
