Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin dhe në mbledhjen e sotme ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të zhvilluara më 7 qershor 2026.
Gjatë seancës së KQZ-së u njoftua: “Me 10 vota për shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026”.
Të lidhura
None found
Me marrjen e këtij vendimi, nis edhe afati ligjor brenda të cilit subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesa.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se ky afat 48-orësh fillon sot në orën 12:00 dhe mbyllet të hënën në të njëjtën orë.
“Pas këtij vendimi, kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12:00 sot, e që përfundon deri në orën 12:00 të hënën”, tha Radoniqi.
Rezultatet zyrtare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e drejtuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, është renditur si forca e parë politike me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.
Në një deklaratë për “Bota sot”, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani u shpreh se proceset në Kosovë duhet të ecin në përputhje të plotë me rendin kushtetues dhe me zinxhirin institucional të paraparë nga Kushtetuta.
Burjani theksoi se procedura që po ndiqet është tërësisht kushtetuese, duke rikujtuar se Kosova funksionon si shtet parlamentar dhe se rendi institucional nis nga Kuvendi, vijon me Qeverinë dhe më pas me Presidentin.
“Procedura është kushtetuese, Kosova është shtet parlamentar, fillohet nga Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti, pra duhet të përfillet zinxhiri institucional, ashtu si proklamohet në Kushtetutë në parimet e saj. Çdo interpretim tjetër është antikushtetues, kjo është, po besoj, e qartë për të gjithë”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shprehur kritika ndaj interpretimeve që, sipas tij, e lexojnë gabim normën kushtetuese.
“Po ka individ që nuk e kuptojnë normativin kushtetues parlamentar, andaj nuk duhet shtrëmbëruar Kushtetuta për njerëz që nuk kanë haber me këtë punë”, ka përfunduar Burjani.
