Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka takuar të enjten përfaqësuesit e partive politike në vend, për të biseduar për caktimin e një date për zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se “shumica u pajtuam” që zgjedhjet e reja të mbahen më 7 qershor.
Ata duhej të zgjidhnin mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit, për zgjedhjet e treta parlamentare brenda rreth një viti e gjysmë. Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.
None found
“Po, sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme”, tha ai.
Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ, i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve. Jehona Lushaku i Lidhjes Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.
“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike. Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.
Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor. Pas takimit të sotëm, Haxhiu pritet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë./REL
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) reagoi pas raportimit në disa media se pjesëtarët e…
Një veturë elektrike tentoi të parkohej plot 868 herë gjatë një nate, përpara se të arrinte të ndalej.Ngjarja e pazakontë…
Ndërsa shumica e të rriturve kanë nevojë për shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë, disa njerëz mund të…
Sot, Hermès është një nga markat më prestigjioze dhe më të vlefshme të luksit në botë, e njohur për çantat…
Princesha Charlene e Monakos ka qenë një nga figurat më të komentuara gjatë festimeve për Ditën Kombëtare të Principatës, ku…
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit.“Fruthi, është një sëmundje shumë…